Pas 6 orësh mbyllet procesi i intervistimit para KLP të kandidatëve për drejtimin e SPAK, si do të bëhet votimi për fituesin
Elvin Gokaj, kandidati i tretë për të marrë drejtimin e SPAK, ka nisur intervistimin para anëtarëve të KLP, me prani të ndërkombëtarëve.
Prokurori i posaçëm e nisi prezantimin me profilin e tij dhe karrierën në sistemin e drejtësisë si dhe çështjet që ka hetuar.
“Veprimtaria ime do fokusohet në luftën kundër krimit, përmirësimin e strukturës dhe shtim kapaciteti njerëzor, forcim i marrëdhënies dhe bashkëpunimit me ndërkombëtarët dhe forcimi i besimit te publiku. Drejtimi i ri i SPAK do të nisë me analizë, që do të ndihmojë në hartimin e një strategjie zhvillimi për tre vitet e ardhshme”, tha ai ndër të tjera teksa prezantoi platformën e tij.
Pjesë nga pyetjet që i janë drejtuar nga anëtarët e KLP:
Cilat do të ishin praktikat më të mira?
Gjokaj: Puna në grup. Pavarësisht se SPAK ka 20 prokurorë, për mendimin tim janë 20 drejtues.
Cili tipar mendoni se do duhet t’ju identifikonte gjatë drejtimit të detyrës nëse zgjidheni?
Gjokaj: Mendoj se kolegët e mi kanë dhënë gjithë energjitë e tyre, nëse do zgjidhem vetë, më përket radha mua dhe do të japë gjithë energjitë e mia. Nuk kemi pasur asnjë ndërhyrje nga drejtuesit e mëparshëm për çështjet që ne kemi pasur, mendoj se kjo do të jetë dhe linja ime nëse zgjidhem.
Para se të merrni detyrën, çfarë keni pasur ndonjë çështje të rëndësie të veçantë që ju e konsideroni çështje të suksesshme?
Gjokaj: Duke pasur një karrierë të gjatë si prokuror, në përgjithësi në rrethet e mëdha kam qenë pjesë në grupet hetimore. Vetë kam pasur çështje të rëndësishme dhe kam kërkuar dhe burgim të përjetshëm të personave të krimit në zonën e veriut.
A keni pasur ndonjë rast presioni, nëse po, si keni reaguar?
Gjokaj: Mendoj se një prokuror me karrierë prej 26 vitesh në këtë detyrë, nuk mbetet më për të pritur presione nga çështje konkrete. Presionet nuk mendoj se mund të bëhen nëse nuk bie në kontakt me palët.
Top Channel