Fiks Fare/ Të moshuarit e Bushatit në pritje pa fund. Tre muaj radhë për pensionin që u mban frymën gjallë

11/12/2025 20:54

Pensionistët e Bushatit prej tre muajsh po përballen me radhë të gjata, udhëtime të kota dhe stres vetëm për të marrë pensionin e tyre mujor.

Në redaksinë e Fiks Fare kanë mbërritur ankesa të shumta nga qytetarët e zonës, të cilët tregojnë se zyra postare po funksionon vetëm me një punonjës, duke e bërë pothuajse të pamundur ofrimin normal të shërbimit.

Një vajzë nga Gramshi i Lezhës rrëfen se detyrohet të vijë dy apo tre herë për t’i marrë nënës pensionin, sepse shpesh punonjësi i vetëm i postës i thotë “hajdeni nesër”, për shkak të mungesës së fondeve. Ajo tregon se më parë pensioni u ka ardhur në shtëpi, por kjo marrëveshje nuk funksionon më prej muajsh.

Në Bushat, ekipi i Fiksit gjeti qindra pensionistë në radhë. Shumë prej tyre vijnë nga fshatra të largëta dhe shpesh kthehen në shtëpi pa marrë asgjë. “Erdha dje, s’ka pasur lekë. Vij nga Kosmaçi, jam 72 vjeç dhe duhet të kthehem dy herë,” thotë një i moshuar. Një tjetër shton se më herët pensioni u shkonte në shtëpi, por tani kanë mbetur vetëm me një punonjës dhe nuk e kuptojnë pse.

Punonjësi i vetëm i postës, Denis Hasani, thotë se ka tre javë që është në detyrë dhe se fondi i parave vjen i limituar. “Aq sa kam, aq jap. Nuk mund t’i shpërndaj të gjitha brenda ditës,” shprehet ai, ndërsa shton se fluksi është i madh dhe pensionistët shpesh nuk respektojnë grafikun e shpërndarjes.

Nga ana tjetër, Posta Shqiptare në Shkodër thotë se situata është krijuar pasi tre punonjës kanë dhënë dorëheqjen dhe një punonjës i ri dha dorëheqje brenda ditës së parë. Aktualisht është vetëm një punonjës, ndërsa pritet emërimi i të dytit dhe të tretit. Sipas drejtueses së degës së shërbimeve në Shkodër, “është e pamundur që një person të shpërndajë pensionet në gjithë atë zonë, sidomos në javën e parë që përkon me fluks të madh”, ndërsa fondi është i limituar dhe nuk mund të jepet i plotë në një ditë.

Kur gazetarja e pyeti për ankesat që kjo situatë zgjat prej tre muajsh, zyrtarja tha se mund të jetë krijuar konfuzion apo se denoncimet janë “tendencioze”, duke pretenduar se pensionistët janë mësuar me marrjen e pensionit në shtëpi. Megjithatë, pyetjeve të drejtpërdrejta se kush mban përgjegjësi për trajtimin e tyre me dinjitet, nuk iu dha asnjë përgjigje konkrete.

Pas interesimit të Fiks Fare, posta shtoi një punonjës të dytë, por radhët vazhdojnë dhe pensionistët ende presin me orë për të marrë pensionet, ndërsa nuk kërkohet më as dorëzimi i ID-ve, çka shton edhe më shumë konfuzion.

Ndërsa institucionet premtojnë se situata do të zgjidhet “brenda ditësh”, qindra të moshuar të Bushatit vazhdojnë përditë betejën e vështirë për të marrë atë që u përket me të drejtë – pensionin e tyre të vetëm për të mbajtur frymën gjallë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta