Tentoi të hynte në Shqipëri nga Rinasi, arrestohet 42-vjeçari i shpallur në kërkim nga Zvicra

10/12/2025 10:59

Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve të kryera në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë dhe shkëmbimit të informacioneve me strukturat partnere ndërkombëtare kryer nëpërmjet Interpol Tiranës, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit:

-arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin në Zvicër, shtetasin A. M., 42 vjeç, banues në Itali, pasi Gjykata e Gjenevës, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Zvicër, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 42-vjeçarit;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. B. dhe E. C., secili 21 vjeç dhe banues në Krujë, pasi dyshohet se kanë kanosur dhe kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë veprimeve procedurale të kryera në lidhje me parkimin e automjetit me të cilin lëviznin këta shtetas, në një zonë të ndaluar;

-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. H., 28 vjeç, banues në Krujë, pasi tentoi të fuste në Republikën e Shqipërisë, 12 000 euro, pa i deklaruar tek autoritetet doganore, konform ligjit në fuqi. Shuma e eurove u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta