Zbulimi shokues/ Në Europë u përdor spermë nga dhurues me kancer, e përfshirë edhe Shqipëria
Kongresi i Brazilit u përfshi nga përleshje të dhunshme të martën, ndërsa ligjvënësit konservatorë vazhduan të shtyjnë një ligj që do të ulte dënimin me burg për ish-presidentin Jair Bolsonaro, i cili është dënuar për përpjekje për grusht shteti pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2022.
Gjatë debatit të nxehtë mbi propozimin për uljen e dënimit të Bolsonaros, ligjvënësi i krahut të majtë Glauber Braga ndërmori një protestë simbolike duke zënë karrigen e Kryetarit të Parlamentit, duke e cilësuar këtë si një kundërshtim ndaj një “ofensive grushti shteti”.
Pas një përleshjeje fizike, policia e largoi me forcë Bragën nga salla, dhe transmetimi televiziv u ndërpre, duke i nxjerrë gazetarët jashtë. Kjo është cilësuar si një akt censure nga shoqatat e gazetarëve.
Propozimi i ligjit, i mbështetur nga aleatët konservatorë të Bolsonaros, ka për qëllim uljen e dënimit të tij nga 27 vjet burg në dy vjet dhe katër muaj.
Ky ligj gjithashtu kërkon të lironte dhjetëra mbështetës të Bolsonaros që ishin arrestuar pas sulmit ndaj ndërtesave qeveritare në janar të vitit 2023.
Në të njëjtën kohë, ekipi ligjor i Bolsonaros ka apeluar për një leje të përkohshme për t’u larguar nga burgu për një operacion shëndetësor.
Bolsonaro ka pasur probleme të mëdha shëndetësore pas një operacioni të kryer në fillim të vitit, si dhe për shkak të një sulmi me thikë në vitin 2018. Ai kërkon të vuajë dënimin e tij në arrest shtëpiak për arsye shëndetësore.
Bolsonaro u dënua në shtator për përpjekje për grusht shteti dhe për lidhjet me një komplot të mundshëm për të vrarë rivalin e tij Luiz Inácio Lula da Silva.
Megjithëse një grusht shteti i drejtuar nga ushtarët nuk u realizua, mbështetësit e Bolsonaros sulmuan ndërtesat qeveritare në fillim të vitit 2023, pas të cilit mijëra persona u arrestuan, përfshirë disa ish-zyrtarë të lartë ushtarakë dhe ish-ministra.
Top Channel