I dyshuar për fshehje pasurie, pushohen hetimet ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë: Nuk ka kryer vepër penale

10/12/2025 11:54

Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë nuk i ka fshehur pasuritë.

Ky është konkluzioni i SPAK, që pushoi hetimet ndaj ish-funksionarit të drejtësisë dhe ky rezultat u aprovua edhe nga Gjykata Antikorrupsion, e cila e quajti të bazuar vendimin e SPAK për të mos ngritur akuzë ndaj Zaganjorit. Në vendimin e tij, gjyqtari Erjon Bani shpreh se e pranoi kërkesën e SPAK për pushimin e procedimit penal numër 137, mbasi fakti penal nuk ekziston.

Xhezair Zaganjori drejtonte Gjykatën e Lartë gjatë kohës kur, si dhjetëra gjyqtarë e prokurorë të tjerë, iu nënshtrua procesit të vettingut për të treja filtrat. Por ndërsa shkalla e parë e vettingut e konfirmoi në detyrë Xhezair Zaganjorin, çështja u ankimua me rekomandimin e ndërkombëtarëve, çka solli shkarkimin nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit deklaroi se Zaganjori nuk mund të konfirmohej në detyrë, mbasi ai nuk justifikonte pasuritë, duke ngritur pikëpyetje për vetëm një nga tre kriteret e vettingut të tij.

Mbas këtij vendimi, 20 gjyqtarë e prokurorë u kallëzuan në SPAK për refuzim për të deklaruar pasurinë, ndërkohë që i pari që ka përfunduar në Gjykatën e Lartë për dënimin e fshehjes së pasurisë është vetëm Bashkim Dedja, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, por vendimi ndaj tij u kthye për rigjykim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB