“Emigracioni i paligjshëm në BE ra me 26% në 2025-ën”, Von der Leyen: Do vijojmë luftën ndaj kontrabandistëve

10/12/2025 17:41

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nënvizoi Europa duhet “të vendosë se kush hyn dhe në çfarë kushtesh, jo kontrabandistët”, duke hapur Konferencën e dytë Ndërkombëtare të Aleancës Globale kundër Kontrabandës së Migrantëve në Bruksel.

Presidentja e Komisionit theksoi se BE ka bërë reforma të rëndësishme në politikën e migracionit, duke vënë në dukje se këtë vit kalimet e parregullta janë ulur me 26%, pas një uljeje prej 37% në vitin 2024. “Ne po luftojmë kontrabandistët me të gjitha mjetet”, tha ajo, duke vënë në dukje se vetëm vitin e kaluar u sekuestruan asete të paligjshme me vlerë më shumë se 12 milionë euro, ndërsa u arrestuan rreth 13,500 kontrabandistë emigrantësh.

“Trafikimi i emigrantëve duhet të marrë fund”, tha von der Leyen, duke argumentuar se “kontrabanda e emigrantëve mund të mposhtet me vullnet politik dhe bashkëpunim ndërkombëtar”. Ajo gjithashtu theksoi nevojën për të rishikuar dhe forcuar legjislacionin europian, duke thënë se “legjislacioni ynë për trafikimin e qenieve njerëzore është mbi 20 vjeç dhe ka nevojë për rinovim urgjent”.

Ajo tha gjithashtu se BE ofron rrugë alternative ligjore për migrimin, por “kalimi i paligjshëm nuk do të tolerohet”, duke shtuar se “kthimet dhe riintegrimi janë pjesë e strategjisë sonë gjithëpërfshirëse”. Kontrabanda e migrantëve gjeneron 5.5-7 miliardë euro në vit për rrjetet kriminale me lidhje me pastrimin e parave, korrupsionin dhe drogën. Aleanca Globale, e krijuar në vitin 2023, synon të parandalojë udhëtimet e paligjshme, të ndërpresë qarqet dhe të promovojë alternativa ligjore ndaj migrimit.

Më shumë se 50 partnerë ndërkombëtarë miratuan sot një deklaratë të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin kundër kontrabandës së migrantëve, bazuar në tre linja kryesore veprimi:

1) Parandalimi i kontrabandës përmes kornizave më të forta kombëtare, shkëmbimit të informacionit, ndërgjegjësimit për rrezikun, bashkëpunimit me platformat dixhitale për të kufizuar aktivitetin online të kontrabandistëve dhe masave për të parandaluar përdorimin e transportit ajror për kontrabandë.

2) Kundërshtimi përmes bashkëpunimit të zgjeruar operativ në rrugët migratore, mbështetjes më të madhe për Europolin dhe Qendrën Evropiane të Kontrabandës së Migrantëve, dhe intensifikimit të hetimeve financiare për të identifikuar dhe konfiskuar fitimet e kontrabandës.

3) Zgjidhje alternative për migrimin e paligjshëm, duke promovuar rrugë të sigurta dhe ligjore të lëvizshmërisë – siç është grupi i ri i talenteve të BE-së dhe duke adresuar shkaqet rrënjësore të migrimit në vendet e origjinës dhe tranzitit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta