“Edhe shqetësimi bëhet diskriminim “, Balla te ‘Ligjet’: Pas 2020-s u shfaqën forma të reja diskriminimi, ligji mbyll boshllëqet

10/12/2025 12:51

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka theksuar në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike se ndryshimet e propozuara në Ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, adresojnë realitete të reja që janë shfaqur pas vitit 2020, duke vendosur fokus të veçantë te viktimizimi, format e reja të diskriminimit dhe rrugët konkrete të ankimit për qytetarët.

Sipas Ballës, periudha 2020–2025 ka nxjerrë në pah forma diskriminimi për të cilat më parë as nuk ekzistonte vetëdije ligjore, si pasojë e zhvillimeve teknologjike, shoqërore dhe të komunikimit. Për këtë arsye, ligji hyn në një “fazë të re zhvillimi”, të përafruar drejtpërdrejt me direktivat e Bashkimit Evropian, përfshirë standardet më të fundit për funksionimin dhe pavarësinë e organeve të barazisë.

Balla theksoi gjithashtu se ndryshimet i japin përgjigje një problemi madhor: mungesës së informacionit se ku dhe si të ankohen viktimat e diskriminimit. Përmes forcimit të rolit dhe pavarësisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe zgjerimit të kompetencave të tij për ndërhyrje dhe padi në interes publik, qytetarëve u ofrohen mekanizma më të qartë dhe efektivë ankimi.

“Nuk ekzistonte as në 2010-ën, as në 2020-ën: koncepti i shqetësimit, një formë diskriminimi, e cila riformulohet për ta trajtuar qartë si një formë diskriminimi që ndodh përmes një sjelljeje të padëshiruar, të lidhur me shkaqet e ndaluara nga ligji, e cila cenon dinjitetin e personit ose i krijon personit një mjedis frikësues, armiqësor, përçmues, poshtërues apo shpeshherë, që për fat të keq na ndodh edhe në sallat e Kuvendit dhe në çdo formë të shoqërisë sonë, bëhet ofendues.

Ky është diskriminim. Shqetësimi si koncept, kur bëhet dhe cenon dinjitetin e personit, kur i krijon personit një mjedis frikësues, armiqësor, përçmues, poshtërues apo ofendues, është diskriminim”, tha Balla.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta