Zyrtarët amerikanë: Turistët që hyjnë në SHBA, do tregojnë historikun e 5 viteve të fundit të rrjeteve sociale
Të miturit po përdoren gjithnjë e më shpesh si vrasës me pagesë, të manipuluar dhe të shtyrë të kryejnë krime të rënda kundrejt shpërblimeve të majme.
Një model i ri kriminal, i lindur fillimisht në Suedi, po josh adoleshentët në internet me premtime për para të lehta, duke i transformuar lojtarët e rinj online në autorë të krimeve të rënda.
Sipas medias italiane, rasti më tronditës vjen nga Suedia ku një fëmijë vetëm 11-vjeçar shkroi në Instagram “Mezi pres të shoh trupin tim të parë”, pasi një 19-vjeçar i përshkruar nga autoritetet si lehtësues i kishte ofruar 14 mijë dollarë për të kryer një vrasje.
Fenomeni i njohur “dhunë si shërbim” tashmë është përhapur në Danimarkë, Finlandë, Francë, Islandë, Gjermani, Spanjë, Norvegji, Belgjikë dhe Holandë. Prillin e kaluar, Europol nisi Operacionin “Grimm”, i cili brenda gjashtë muajsh çoi në arrestimin e 193 personave në nëntë vende evropiane. Mes tyre: 63 autorë, 40 lehtësues, 84 rekrutues dhe 6 nxitës, ndërsa dhjetëra vrasje u parandaluan në kohë.
Hetimet zbuluan edhe një kanal në Telegram me rreth 11 mijë anëtarë, i dedikuar për rekrutimin e të miturve si vrasës me pagesë. Shumë prej tyre shprehnin gatishmëri të udhëtonin në vende të tjera për të kryer krime. Rekrutimi shpesh ndodhte gjatë lojërave online, ku fëmijët josheshin me oferta të menjëhershme dhe pagesa të garantuara.
Sipas Europolit, bëhet fjalë për një “makinë të mirëorganizuar kriminale”, me role të ndara qartë:
Nxitësit, të cilët urdhërojnë dhe financojnë krimin, duke paguar deri në 20 mijë euro për një vrasje, rekrutuesit, që gjejnë adoleshentë përmes rrjeteve sociale dhe platformave të lojërave, lehtësuesit, të cilët sigurojnë logjistikën, rrugët e arratisjes dhe pagesa, autorët, pothuajse gjithmonë të mitur pa precedentë penalë, të padukshëm për autoritetet dhe lehtësisht të manipulueshëm.
Vlerësimet e ekspertëve paralajmërojnë se ky model kriminal po evoluon me shpejtësi dhe rrezikon të shpërndahet edhe më gjerë në Europë, duke shfrytëzuar dobësinë dhe naivitetin e të rinjve në hapësirën online.
Top Channel