“Asetet e ngrira ruse? Çështje komplekse”, Von der Leyen: Sa më shumë të zgjasë lufta aq më shumë do t’i kushtojë Rusisë
Ukraina do të ndajë me Shtetet e Bashkuara të martën planin e rishikuar të paqes për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, pas bisedimeve në Londër mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë.
Kievi, nën trysni nga Shtëpia e Bardhë për ta pranuar sa më shpejt një marrëveshje paqeje, po kërkon ta baraspeshojë një draft të mbështetur nga SHBA-ja, i cili shihet nga shumë si i leverdishëm për Moskën.
Takimi i organizuar me nxitim midis kryeministrit britanik, Keir Starmer, presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Friedrich Merz, dhe Zelenskyt, kishte për qëllim forcimin e pozicionit të Ukrainës.
Zelensky u tha gazetarëve pas takimit me liderët evropianë se plani i rishikuar përbëhet nga 20 pika, por se ende nuk ka marrëveshje për çështjen dorëzimit të tokave, që është kërkesë e madhe e Moskës.
“Qëndrimi i amerikanëve, në parim, është gjetja e një kompromisi”, tha ai. “Natyrisht, ka çështje të ndërlikuara që lidhen me tokat, dhe ende nuk ka kompromis për këtë”, theksoi Zelensky.
Ai e përsëriti qëndrimin e tij të njohur se Ukraina nuk mund të heqë dorë nga asnjë pjesë e tokës së vet.
Starmer, Macron, Merz dhe Zelensky synojnë gjithashtu të sigurojnë garanci sigurie nga SHBA-ja për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve nga Rusi në të ardhmen, e cila nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Publikimi i një plani armëpushimi nga SHBA-ja muajin e kaluar ka marrë vëmendjen e liderëve evropianë, të cilët frikësohen se Kievi mund të detyrohet t’i pranojë shumë nga kërkesat ruse, diçka që, sipas disa prej tyre, mund ta destabilizojë kontinentin.
Por, megjithëse zyrtarët amerikanë thanë se janë në fazën përfundimtare të arritjes së një marrëveshjeje, deri tani ka pak shenja se Ukraina ose Rusia janë të gatshme të nënshkruajnë marrëveshjen kornizë të hartuar nga negociatorët e Trumpit.
“Ne qëndrojmë përkrah Ukrainës dhe, nëse do të ketë armëpushim, ai duhet të jetë i drejtë dhe i qëndrueshëm”, tha Starmer pasi mirëpriti liderët në rezidencën e tij në Downing Street.
Macron dhe Merz shprehën gjithashtu vendosmërinë për të vazhduar me një plan të fortë, në një periudhë që kancelari gjerman e përshkroi si “vendimtare … për të gjithë ne”.
Zelensky vuri në pah baraspeshën e vështirë që fuqitë evropiane duhet ta gjejnë teksa përpiqen të negociojnë kushte më të mira në raport me planin e propozuar nga SHBA-ja.
“Ka disa gjëra që nuk mund t’i menaxhojmë pa amerikanët, gjëra që nuk mund t’i menaxhojmë pa Evropën; prandaj duhet të marrim disa vendime të rëndësishme”, shtoi ai.
Ukraina po përjeton tani një nga periudhat më të vështira të luftës.
Trupat ruse po çajnë përpara ngadalë në lindje, dhe qytetet e fshatrat ukrainase po përballen me orë të tëra ndërprerjesh të rrymës për shkak të sulmeve të intensifikuara ruse ndaj rrjetit energjetik dhe infrastrukturës tjetër kritike.
I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Ëitkoff, dhe dhëndri i tij Jared Kushner, sollën një plan të rishikuar në Moskë javën e kaluar, pastaj zhvilluan bisedimesh disaditore me zyrtarët ukrainas në Majami, të cilat përfunduan të shtunën pa ndonjë përparim.
Zelensky i quajti diskutimet konstruktive, por jo të lehta.
Trump tha të dielën se ishte “i zhgënjyer” me Zelenskyn, duke e akuzuar atë se nuk i kishte lexuar propozimet e fundit të mbështetura nga SHBA-ja./REL
Top Channel