Dalin të dhënat/ Ja sa nxënës u kapën me armë dhe sa konflikte fizike u raportuan. Oficerët e sigurisë nën presion

08/12/2025 19:46

Shkolla të pasigurta është ky konkluzioni që arrin Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një auditimi të kryer nga shtatori 2021 deri në 2024.

Monitorimi në gati 4 vite për rolin e oficerëve të sigurisë edhe punën e bërë  në institucionet arsimore ka rezultuar një proces jo efektiv, për shkak të mungesës së koordinimit institucional, teksa nga buxheti i Ministrisë së Arsimit vetëm  nga 0.4% deri në 0.6% të totalit të buxhetit shkon për sigurinë.

“Problematika më e shpeshtë, është ajo e dhunës fizike, me 892 raste të referuara në periudhën në fokus auditimi. Dhuna psikologjike/verbale radhitet e dyta, me 333 raste në këto vite. E treta, ndër problematikat më shqetësuese, me të cilat ballafaqohet siguria në shkolla, është bullizmi, e cila është raportuar 186 herë, në të njëjtën periudhë. Po ashtu shqetësim përbëjnë: kërcënimet/shantazhet/përndjekjet, me 178 raste dhe përdorimi i i drogës/cigares /alkoolit, me 133 raste”, thotë raporti i KLSH.

Raporti zbulon se indikatorët e sigurisë në shkolla, kanë pësuar përkeqësim të ndjeshëm në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar në periudhën e parë të vitit 2024-2025, ku vetëm për 4 muaj janë shënuar 528 incidente, të kryesuara nga dhuna fizike, si dhe janë kapur 8 nxënës me armë. Mosmbulimi i të gjitha shkollave me oficerë sigurie ka cenuar gjithashtu sigurinë në ambjentet arsimore. Por edhe aty ku ka oficerë sigurie, del në pah se aktiviteti i ushtruar prej tyre, nuk u përgjigjet nevojave të shkollës, pasi mungon kontrolli fizik i nxënësve dhe i mjediseve shkollore.

“Ka qarqe si ai i Kukësit dhe ai i Gjirokastrës ku ka një oficer sigurie për çdo 25 shkolla, ndërkohë në qarkun e Tiranës ka një oficer sigurie për çdo 4-3 shkolla”, shkruan Raporti.

Raportimi i konflikteve apo incidenteve nëpër shkolla nuk përbën një detyrim ligjor për oficerët e sigurisë, është një tjetër gjetje e KLSH-së, ku ndonëse mund të ndodh raportimi, ato të dhëna nuk përpunohen apo analizohen më tej nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar.

Gjatë auditimit u konstatua edhe trysnia në të cilën punojnë oficerët e sigurisë, kur duhet të raportojnë në databazën e krijuar nga ASCAP, pa specifikuar shkollën ku ka ndodhur incidenti.

“Nga të dhënat rezulton se parandalimet e rasteve nga shtatori 2021, deri në dhjetor 2024, janë në total 182, shifër kjo që provon, se rastet referohen vetëm pjesërisht. Oficerët e sigurisë janë shprehur, se janë ndjerë nën presionin e drejtuesve për të raportuar, pasi shkolla e tyre mund të cilësohej një shkollë jo e mirë, nëse kishte raportime të rasteve apo të incidenteve”.

Kjo sjell një panoramë të pasaktë dhe jo të plotë të realitetit në shkolla, si dhe ndikon në mangësi të theksuar në marrjen e masave konkrete për të garantuar ofrimin e një shërbimi cilësor të oficerëve të sigurisë. Ndaj KLSH rekomandon që brenda vitit 2026 të ketë një strukturë të dedikuar për raportimin e problematikave duke udhëzuar Ministrinë e Arsimit që të ngrejë një mekanizëm ligjor dhe funksional për mbledhjen e informacionit dhe pasqyrimit të incidenteve për të rritur besueshmërinë në shkolla.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta