Tre biznese blegtorale që merren me blerjen dhe shitjen e gjësë së gjallë, e më pas me tregtimin e mishit të freskët, kanë fshehur 10 mln euro fitime.
Këto biznese, në bilancet e tyre tregtare, kishin sasi të mëdha mishi të blerë, por nga ana tjetër këto shifra nuk përputheshin me shitjet, sepse tregtimi i këtij produkti te konsumatorët bëhej pa faturë. Ky aksion erdhi pas denoncimit të një qytetari. Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Task Forcën e Terrenit, ndërhynë në vendushtrimin e tre subjekteve Hallaçi në Kukës, Kazazi dhe Tafaj në Kavajë, ndërkohë është në hetim edhe një tjetër subjekt në qytetin e Fierit, ku u konstatua shkelje të legjislacionit tatimor si mos instalimi i sistemit të fiskalizimit dhe mos afishimi i listës së çmimeve.
Por ky aksion, sipas ekspertit të bujqësisë Ndoc Fasllia, nuk ka për qëllim vetëm luftën kundër informalitetit, por edhe shtimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit.
“Synimi kryesor i këtyre kontrolleve në radhë të parë është evidentimi i evazionit fiskal si dhe garantimi i të ardhurave për buxhetin e shtetit. Pra, e thënë thjeshtë, të shtojë të ardhurat në arkën e shtetit.”, shprehet Fasllia.
Këto aksione do të ishin më të dobishme nëse do të realizoheshin edhe me institucionet që garantojnë sigurinë ushqimore, pasi kështu jo vetëm që zhduket informaliteti, por garantohet edhe cilësia e produkteve.
“Kontrollet e ushtruara nga Administrata Tatimore duhet të jenë të koordinuara me AKU-në, AKVMB-në dhe ISUV-in, por nga ana tjetër këto kontrolle duhet të mbështeten me fonde për krijimin e laboratorëve.”, shton eksperti i bujqësisë.
Vetëm deri më tani, gjatë vitit 2025, Administrata Tatimore ka zbuluar mbi 4 subjekte të mëdha blegtorale në shkelje, që fshehin të ardhurat nga biznesi i tyre.
Top Channel