Arabia Saudite dhe Katari lidhin marrëveshjen hekurudhore/ Shkurtohet koha e transportit mes vendeve, priten rreth 10 milionë pasagjerë në vit

08/12/2025 18:33

Arabia Saudite dhe Katari kanë nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e një linje hekurudhore me shpejtësi të lartë që do të lidhë Riadin me Dohan, një hap i rëndësishëm që konfirmon përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve pas viteve të tensionuara.

Sipas mediave ndërkombëtare, linja e re do të kalojë nëpër disa qytete të mëdha dhe pritet të shkurtojë kohën e udhëtimit mes dy kryeqyteteve në rreth dy orë, me trenat që do të arrijnë shpejtësi mbi 300 km/h. Aktualisht, fluturimi mes Rijadit dhe Dohas zgjat rreth një orë e gjysmë.

Projekti pritet të përfundojë brenda gjashtë vitesh dhe synon të transportojë deri në 10 milionë pasagjerë në vit.

Marrëveshja u nënshkrua në Riad nga Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, dhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani.

Në vitin 2017, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë marrëdhëniet me Katarin, duke e akuzuar për mbështetje të lëvizjeve islamike, afrimitet me Iranin dhe nxitje të trazirave, akuzë që Katari e ka mohuar vazhdimisht. Bllokada diplomatike dhe ekonomike u hoq në janar 2021.

Që atëherë, dy mbretëritë kanë forcuar bashkëpunimin dhe kanë koordinuar përpjekjet diplomatike, përfshirë edhe ato që lidhen me armëpushimin në Rripin e Gazës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta