Me hyrjen në muajin dhjetor, afrimin e festave të fundvitit si dhe dërgimin e më shumë parave të emigrantëve për familjet e tyre në Shqipëri, euro preku nivelin më të ulët historik ndonjëherë.
Për 96.57 lekë po këmbehet monedha europiane, ndërsa 1 vit më parë kjo shifër arrinte në 98.32 lekë.
Për analistët, kjo ecuri e euros me minimume të reja pritet të vazhdojë ndërsa i afrohemi edhe fundvitit.
“Kemi vlera pozitive për investimet e huaja direkte dhe remitancat që mund të jenë faktor ndikues në kursin e këmbimit, por trendi i tyre nuk shkon konform trendit të zhvlerësimit të monedhave në raport me lekun. Ky nuk është fenomen sezonal apo i përkohshëm, por është një kurs stabil i stacionuar”, thotë eksperti i ekonomisë, Igli Tola.
Për të frenuar rënien e mëtejshme të euros si dhe ruajtjen e një qëndrueshmërie, Banka e Shqipërisë deri në muajin shtator tërhoqi nga tregu 800 milionë euro, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2024 u tërhoqën 933 mln euro. Një situatë e tillë e euros ka ndikuar ndjeshëm në sektorët më të prekur nga zhvlerësimi.
“Një shtrenjtim i monedhës vendase e bën jo atraktiv produktin vendas për t’u eksportuar. Nuk kemi parë një rënie të çmimeve në tregun e shumicës apo pakicës si rezultat i zhvlerësimit të kursit, por ka edhe faktorë të tjerë si tarifat doganore dhe kostot e prodhimit”, shton Tola.
Institucionet ndërkombëtare këshillojnë bankën qendrore që të lejojë një kurs të lirë të këmbimit dhe të pakësojë ndërhyrjet.
Top Channel