“Pse nuk e vura re më herët? Pse nuk munda të bëja më shumë”/ Vëllai vrau veten me armën e shërbimit, Sheila Haxhiraj në lot: Pengu im… Në nisje të episodit të 9-të të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama ritheksoi qëndrimin e tij për animimin e bërë në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin nga detyra e ministres Belinda Balluku.
Ai u shpreh se ankimimi që ka bërë në Gjykatën Kushtetuese nuk është një betejë politike dhe as kundërvenie ndaj drejtësisë.
Ndër të tjera, teksa i referohej “arrestit shtëpiak” të drejtorit të ARRSH dhe drejtorit të KESH-it, Rama tha se “paraburgimet e arrestet e shtëpisë, pa gjyq, janë bërë “bukë e djathë” në Shqipë”.
“Edhe njëherë dua të ritheksoj qëndrimin tim lidhur me domosdoshmërinë e moscenimit të parimit themelor të ruajtjes së balancës mes pushteteve kushtetuese në Republikën e Shqipërisë.
Edhe njëherë, dua ta theksoj, se ankimimi që kam bërë në Gjykatën Kushtetuese nuk është një betejë politike, nuk është as një kundërvenie ndaj drejtësisë, nuk është as një presion mbi këdo qoftë, përfshirë edhe këto shpjegime, të cilat janë të domosdoshme për ata që më kanë besuar privilegjin e udhëheqjes së këtij vendi, por është një betejë institucionale, një betejë themelore për mbrojtjen e kufijve mes pushteteve dhe për moslejimin e marrjes së kompetencave ekskluzive të kryeministrit, qeverisë dhe parlamentit nga një prokuror e një gjykate, një precedent kërcënues për demokracinë, në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës dhe krejt i panjohur në Europë dhe në krejt botën demokratike.
Ky veprim, që “de jure” quhet pezullim, por “de facto” është nënshtrim brutal i ekzekutivit, sjell përditë pasoja pas pasojash. Arsyeja, pse unë i ndaj disa shembuj me publikun, është për t’u kuptuar deri në fund se çfarë ka ndodhur, çfarë po kalojmë dhe çfarë po përpiqemi dhe po përpiqem të bëj, përmes adresimit të kësaj problematike befasuese dhe të befasishme në Gjykatën Kushtetuese, dhe të ndaj, jo vetëm pasojat, por edhe dëmet që mund të bëhen të pallogaritshme.
Ja për shembull, janë vendosur në arrest shtëpie drejtori i ARRSH dhe drejtori i KESH-it. Nuk ka asnjë rëndësi se si i mendoj unë arsyet e këtyre ndalimeve, se kjo po, kjo është punë e prokurorit dhe gjykatësit – për sa kohë, siç kanë konstatuar me shqetësim më shumë sesa një herë autoritetet e Këshillit të Europës, paraburgimet e arrestet e shtëpisë, pa gjyq, janë bërë “bukë e djathë” në Shqipëri.
Por fakti është se ata nuk hetohen në gjendje të lirë, dhe kështu cila është pasoja? Pasoja është se lihen pa kokë edhe dy institucione të tjera kyçe për vendin, të cilat mbulojnë infrastrukturën kombëtare të rrugëve dhe infrastrukturën kombëtare të energjisë.
Mirëpo, pse kjo pasojë tani është e lidhur drejtpërdrejtë me pezullimin dhe pse kjo pasojë tani bëhet e pariparueshme, për sa kohë pezullimi, jo vetëm antidemokratik, por edhe alogjik i një anëtari të kabinetit, e bën të pamundur zëvendësimin e tyre, pasi ligji nuk ia jep askujt tjetër, përveç autoritetit ekskluziv të ministrit edhe të drejtën e këtyre emërtesave. Kaq e thjeshtë është pse ministri nuk mund të pezullohet si të ishte një funksionar publik i çfarëdolloj niveli tjetër
Ka një devizë, ne e kemi ndjekur si postulat: Mos ndërhy në punët e drejtësisë. Por, nga ana tjetër, kjo ndërhyrje brutale në trupin e qeverisë është një këmbanë alarmi, që duhet dëgjuar deri në fund, për të mos u përsëritur më kurrë. Dhe kështu, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke rivendosur në pozicionet kushtetuese njëri-tjetrin, ndihmojmë Shqipërinë, ndihmojmë konsolidimin dhe modernizimin e shtetit shqiptar“, tha Rama.
Top Channel