Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, nuk do të vijë pa dhimbje në sektorin bujqësisë, fermerët e vegjël do ta kenë të pothuajse të pamundur t’i përgjigjen kërkesave të vendosura nga europianët, ku sipas ekspertëve të bujqësisë vetëm 28% e fermave do t’i mbijetojnë tregut të ri.
Ligji 7501 bëri që në vendin tonë të krijohen 1.8 milion parcela bujqësore, ky numër i lartë fermash nuk garanton cilësinë dhe sasinë e kërkuar nga BE. Për këtë arsye zgjidhja e vetme është rikthimi i kooperativave, apo bashkim të fermerëve.
“ Nuk do t’i mbijetojnë rreth 72% e fermerëve tanë që janë fermerë individualë. Këta fermerë nëse nuk do të grupohen dhe nuk do të krijojnë Organizatën e Prodhimit nuk do të mbijetojnë më për arsye sepse standardet do të jenë të detyrueshme dhe tregjet do të jenë të mirëorientuara, ku do të punojnë vetëm më kontrata dhe duhet të kenë parasysh që pa certifikim nuk do të ketë më shitje në tregun e formatizuar”, u shpreh eksperti i bujqësisë Agim Rrapaj.
Mungesa e teknologjisë në njësi prodhimi, dhe mungesa e mekanizmit bujqësor në fusha, bën që siguria ushqimore të jetë sfida me vështirë nga tre kapitujt që përfshijnë bujqësinë.
“Të tre këto kapituj, janë kapituj të cilët duhet të zbatohen në praktika nga një numër shumë I madh operatorësh, flasim mbi 100.000 fermerë flasim për më shumë se sa 1000 njësi të agropërpunimit që duhet të kryejnë këtë proces të zhvillimit të tyre teknologjik dhe sigurisë ushqimore”, tha zv. ministri i bujqësisë Fatmir Guri.
Ato fermerë që do të prodhojnë si kolegët e tyre në Evropë, gjithashtu do të mbështeten dhe do t’iu sigurohet edhe tregu fitimprurës.
“Në krye të kësaj rruge do të jenë të gjitha ato njësi që do të plotësojnë kushtet për të tregtuar në BE”, tha Fatmir Guri.
Ndërkohë mësohet se në vitin 2026 ministria e bujqësisë do të ndryshojë mënyra e financimit të Skemës Kombëtare, ku të parët që do të përfitojnë do të jenë fermat e mëdha.
Duhet t’i kthehemi procesit të kooperimit dhe të ndërtojmë organizatat e prodhuesve sipas BE.
Top Channel