Kufizime aksesit të medias, “New York Times” bën gati padinë për Pentagonin
Ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka dhënë dorëheqjen nga posti i rektores së College of Europe (Kolegji Europian), pasi është nën hetim për mashtrim dhe favorizim në një projekt të financuar nga BE për trajnimin diplomatik.
Në deklaratën pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv, Mogherini tha se largimi i saj vjen “në linjë me rigorozitetin dhe ndershmërinë me të cilat kam ushtruar detyrën”. “Në përputhje me rigorozitetin dhe integritetin maksimal me të cilin kam kryer gjithmonë detyrat e mia, sot kam vendosur të jap dorëheqjen nga pozicioni im si Rektore e Kolegjit të Evropës dhe Drejtoreshë e Akademisë Diplomatike të Bashkimit Evropian”, shkroi Mogherini.
Dorëheqja e saj vjen vetëm një ditë pasi edhe zyrtari i lartë i BE-së, Stefano Sannino, njoftoi se do të tërhiqet nga detyra në fund të dhjetorit, pasi gjithashtu u identifikua si i dyshuar në të njëjtin hetim. Ai drejton Drejtorinë e Komisionit Evropian për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin.
Mogherini ka shërbyer si rektore e Kolegjit të Evropës që nga viti 2020, duke mbikëqyrur kampuset e tij në Bruges, Varshavë dhe Tiranë. Ajo gjithashtu mori rolin e drejtoreshës së akademisë diplomatike në vitin 2022, një pozicion që qeveritë e BE-së e bënë të përhershme në vitin 2024, duke e financuar atë me një shumë prej 1.7 milionë eurosh në vit.
Top Channel