Spiropali në Vjenë për Këshillin Ministror të OSBE, në fokus arkitektura e sigurisë europiane

04/12/2025 10:43

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali ndodhet në Vjenë për Këshillin e 32-të Ministror të OSBE-së që po mbahet në Pallatin Hofburg.

Spiropali u mirëprit nga Kryesuesja e OSBE dhe Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen.

Ky Këshill përkon me Kryesinë e Finlandës të OSBE dhe me 50 vjetorin e Aktit Final të Helsinkit që solli në jetë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim.

Në fokus të Këshillit do të jenë parimet që qëndrojnë në themel të sigurisë europiane: barazia dhe integriteti territorial, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve, respekti për të drejtat e njeriut.

Në këtë kontekst, në zemër të diskutimeve do të jetë shkelja flagrante e këtyre parimeve nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

Një vëmendje të veçantë do të marrë përgatitja e OSBE-së për sfidat e së ardhmes, prioritet ky i Kryesisë finlandeze, ndërkohë që Ministrja e Jashtme e Shqipërisë do të theksojë angazhimin e vendit për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

Në margjinat e Këshillit Ministror, Spiropali do të takohet me Zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane, Brendan Hanrahan, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA.

Gjatë ditës, Ministrja e Jashtme do të marrë pjesë në tryezën e Ministrave të Jashtëm të nismës “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, me ftesë të Ministres së Jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger. Në takim do të marrin pjesë edhe Zëvendës Presidentja e Komisionit Europian dhe Kryediplomatja europiane Kaja Kallas, si dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos.

Spiropali pritet të zhvillojë disa takime bilaterale me homologët nga Rumania, Armenia dhe Gjeorgjia, si dhe me zyrtarë të lartë të OSBE-së.

FOTO GALERI
4/7

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta