“Më bën habi që ke kaq injorancë ligjore”/ Fshehja e kompanive përfituese të 2 miliardë eurove, Tabaku përplaset me ministrin, Malaj: Po gënjen me zë dhe figurë

04/12/2025 15:05

Mungoi në komision parlamentar, por ministri i Financave Petrit Malaj nuk i shpëtoi dot në seancë plenare vërshimit të pyetjeve mbi kë po mbron ligji i faljes së taksave, gjobave dhe kamatëvonesave.

Deputetët opozitarë akuzuan ministrin se po fsheh listën e bizneseve përfituese, në kundërshtim me ligjin.

Jorida Tabaku: “Sipas nenit 80 të kushtetutës, drejtuesit e institucioneve shtetërore me kërkesë të deputetëve duhet të japin shpjegime për çështje të ndryshme. I kam kërkuar ministrit të Financave prej një muaji, disa shkresa, për të bërë transparencë mbi përfituesit e ligjit të shlyerjes së borxheve. Njëkohësisht transparencë mbi amnistinë fiskale zoti ministër s’e ka ofruar akoma këtë transparencë. Ministri e ka detyrë kushtetuese të kthejë përgjigje për përfituesit, a janë koncesionarë, marrës të tenderëve, subjekte të SPAK? Jo 1 por 4 shkresa kam dërguar që nuk kanë sjellë përgjigje as nga Tatimet e as nga Doganat. I kërkoj ministrit të bëjë transparencë. Nuk mund ta miratojmë nen për nen pa pasur transparencë”.

Në emër të sipërmarrësve të rregullt me shlyerjen e detyrimeve, demokratët vendosën para përgjegjësisë Petrit Malajn duke këmbëngulur që të jap llogari mbi të dhënat e kompanive që pastrohen nga detyrimet tatimore e doganore, madje duke hedhur  edhe dyshime se përfituesit janë vetë porositësit e ligjit.

Petrit Malaj: “S‘e kuptoj se si arrini të gënjeni me zë dhe figurë që keni dërguar 4 shkresa dhe paskeni dhe një muaj që e keni dërguar se në fakt ka ardhur vetëm para një jave në ministri. Mos gënjeni, por para një jave e keni dërguar dhe si ligjvënëse e vjetër e parlamentit duhet të dini se kërkesa që keni sjellë është në kundërshtim me disa ligje të tjera për nivelin e informacionit që keni kërkuar. Duhet t’i referoheni ligjit të procedurave tatimore për të kuptuar se informacioni që kërkoni nuk mund të ndahet se është e dhënë personale dhe duhet të kërkoni konsensusin e debitorit që të japë informacion mbi borxhet me administratën tatimore. Në lidhje me informacionin se kush janë përfituesit e detyrimeve tatimore e doganore, e kam sqaruar janë 202 mijë përfitues”.

Debati u përshkallëzua deri në pretendime emrash përfituesish, dhe për të ndalur akuzat u kërkua transparencë mbi procesin.

Partia Demokratike i ka dërguar një letër Komisionit të Europës dhe Parlamentit Europian, ku ngre shqetësime se amnistia fiskale e maskuar si “paqe” cenon marrëdhëniet me BE dhe është rrezik për ekonominë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta