Një person është vënë në pranga në Shkodër pasi dyshohet se ka kanosur me armë zjarri një 20-vjeçar, duke qëlluar fillimisht në ajër dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Rreth orës 13.00, në Policinë e Shkodrës është raportuar për të shtëna me armë zjarri në afërsi të Stacionit të Trenit. Menjëherë pas njoftimit, forcat e rendit kanë ndërhyrë duke krehur zonën dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e një shtetasi të dyshuar për ngjarjen.
Siç raporton gazetari i Top Channel, Klodian Zhivani, i arrestuari, Altin Shpendi dyshohet se ka kanosur me armë zjarri një 20-vjeçar, duke qëlluar fillimisht në ajër dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Njoftimi:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, të mbështetura nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Tre Heronjtë”, një shtetas kishte kanosur me armë zjarri një shtetas tjetër, kanë organizuar punën për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. Sh., 26 vjeç.
Nga veprimet e para procedurale, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. Sh. ka kanosur shtetasin Xh. G., 20 vjeç, duke qëlluar me armë zjarri, automatik, në ajër.
Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur dhe gjetjen e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se 26-vjeçari qëlloi në ajër gjatë konfliktit.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel