Votimi për Avokatin e Popullit, PD tërheq firmat për të gjithë kandidatët: Presim Peleshin për të vijuar procedurën

03/12/2025 16:11

Partia Demokratike ka tërhequr ditën e sotme firmat për të gjithë kandidatët për Avokatin e Popullit duke theksuar se mbeten ende në pritje të përgjigjes institucionale të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Sipas tyre, nënshkrimet e deputetëve të opozitës janë dhënë përpara kualifikimit të kandidatëve nga Komisioni i Ligjeve dhe pas vendimit të Komisionit deputetët e opozitës kanë tërhequr të gjitha nënshkrimet e dhëna paraprakisht, dhe kanë propozuar ndërtimin e një procesi transparent përzgjedhje mazhorancë-opozitë.

“Për shkak të interesit të mediave mbi kandidatët për Avokat Populli, ju sqarojmë se:

Nënshkrimet e deputetëve të opozitës janë dhënë përpara kualifikimit të kandidatëve nga Komisioni i Ligjeve, pavarësisht se kur kandidatët vetë i kanë depozituar në Kuvend dhe një pjesë prej tyre i kanë përdorur në kundërshtim me ligjin si propozim për votim (gjë që nuk është e vërtetë) në kuptim të nenit 9 të ligjit për Avokatin e Popullit.

Pas vendimit të Komisionit të Ligjeve, që i është njoftuar zyrtarisht grupeve parlamentare, që “1 deputet mbështet vetëm 1 kandidat sipas ligjit”, deputetët e opozitës kanë tërhequr të gjitha nënshkrimet e dhëna paraprakisht, dhe kanë propozuar ndërtimin e një procesi transparent përzgjedhje mazhorancë-opozitë. Mbetemi në pritje të përgjigjes institucionale të Kryetarit të Kuvendit për të proceduar më tej.

Tërheqja e nënshkrimeve depozitohet zyrtarisht në Kuvend”, shkruan PD.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta