PD-PS negociata për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Emrat e 6 kandidatëve që kanë marrë firmat e deputetëve demokratë

03/12/2025 14:13

Pavarësisht mesazheve kundërshtuese që transmetojnë në publik, PD e PS prej dy ditësh janë në negociata për të zgjidhur ngërçin e zgjedhjes së Avokatit të ri të Popullit.

Burimet i thanë Top Channel se Partia Socialiste ka bërë lëshimin e parë në këto negociata, ku i ka lejuar demokratët që të firmosin për më shumë se një kandidat nga lista e gjatë me 28 emra që ka shkuar në komisionin e Ligjeve.

Mësohet se janë të paktën pesë kandidatë që kanë marrë numrin minimal të nevojshëm të firmave për tu futur në procedurë votimi në kuvend.

Burimet thonë se këto firma i kanë siguruar, Aranita Brahaj, Jola Hysaj, Besim Ndregjoni, Adriana Kalaja, Tartar Bazaj, Skender Haluca dhe Endrit Shabani.

Megjithatë në këtë pikë, ka ende një çështje të pazgjidhur mes dy forcave të mëdha politike.

Socialistët kanë kërkuar që emrat që kanë marrë minimalisht 28 firma, të kalojnë në procedurë votimi dhe të zgjidhet ai që merr 84 vota.

Në kushtet kur vetë PS ka 83 vota, zgjedhja e një emri të pëlqyer nga socialistët, por jo aq shumë nga demokratët do të ishte fare e lehtë.

Për këtë arsye, PD-ja ka kërkuar që nga lista me kandidatët që kanë mbledhur firmat, PS të zgjedhë tre prej tyre dhe në fund të jenë demokratët që të përzgjedhin Avokatin e ri të Popullit.

Propozimi zyrtar i demokratëve ka mbërritur në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, nga ku pritet të zgjidhet edhe ngërçi më i fundit i këtij procesi që ka tre vjet që zhvillohet.

Kandidatët që kanë marrë 28 firmat nga PD

Aranita Brahaj

Jola Hysaj

Besim Ndregjoni

Adriana Kalaja

Tartar Bazaj

Skender Haluca

Endrit Shabani

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta