Mbi një javë pasi banorët e Prishtinës mbetën pa transport publik, autobusët kanë nisur të qarkullojnë sërish në rrugët e kryeqytetit e Kosovës.
Aksioni, ndonëse me pasoja për qytetarët, duket e ka dhënë efektin e tij. Ndërmarrje e transportit publik në pronësi të Komunës së Prishtinës, Trafiku Urban deklaroi se po i rinis shërbimet pasi Ministria ne detyrë e Financave i dha dritën jeshile pagesave të faturave dhe borxheve të kësaj komune ndaj tij dhe transportuesve privatë.
“Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes”, thuhet në njoftimin e saj. Muajt e fundit Qeveria në detyrë dhe zyrtarët e komunës kanë shkëmbyer akuza të vazhdueshme ndaj njëri-tjetrit për gjendjen e ndërlikuar me financat e kësaj të fundit.
Transporti publik u rikthye pasi Ministria e Financave në detyrë alokoi 2.7 milionë euro për mallra dhe shërbime për komunën e Prishtinës, shumë kjo, që sipas ministrit Hekuran Murati, ishte proceduar veçantë nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë eurove e projekteve kapitale, në mënyrë që t’i jepe pritoritet.
Murati foli për deklarata dezinformuese nga ana e komunës së Prishtinës që gjoja Ministria nuk po bën alokimin e fondeve, kur në fakt, insistoi ai, edhe ata vetë e dinë që kemi të bëjmë me procedura të cilat nuk mund të anashkalohen”.
Top Channel