Foto/ Vrasja e biznesmenit në Elbasan, gjendet një makinë e djegur në fshatin Mirakë
Elbasani u trondit mbrëmjen e së dielës nga një atentat me armë zjarri, ku një biznesmen 43-vjeçar u ekzekutua brenda në automjetin e tij të parkuar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku u gjet i vrarë shtetasi Mondi Mehalla, alias Edmond Hyka.
Sipas të dhënave paraprake, Mehalla sapo kishte dalë nga zyra e tij, në godinën ku ndodhen bizneset. Në momentin që është futur në automjet, ai është qëlluar me armë zjarri duke marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Deri tani janë shoqëruar disa persona dhe po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e krimit. Janë personat të cilët janë ndodhur afër në momentin e krimit dhe të njohur apo familjarë të viktimës që po merren në pyetje si persona që kanë dijeni për ngjarjen.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë mbërritën në vendngjarje, duke ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha daljet e qytetit ndërkohë vijojnë kontrollet intensive në terren.
Burime policore bëjnë me dije se automjeti i përdorur nga atentatorët dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd.
Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa operacioni policor në terren mbetet në zhvillim.
Top Channel