Radhë të gjata në Kakavijë, pritje mbi dy orë, njoftohet për tjetër protestë nga fermerët grekë

01/12/2025 09:47

Në pikën kufitare të Kakavijës janë krijuar radhë të gjata automjetesh nga pala greke që në orët e para të mëngjesit ku qytetarët po presin mbi dy orë për të kaluar kufirin.

Kalimi i autobusëve të linjës në orët e para të mëngjesit dhe fluksi i shtuar i mjeteve ka krijuar radhë.

Aktualisht po punohet vetëm me dy sportele dhe procesi po zhvillohet shumë ngadalë, duke shkaktuar vonesa dhe pakënaqësi te udhëtarët.

Radhët shënohen në anën tjetër të kufirit jo në sportelet e palës shqiptare.

Në njoftimin e policisë kufitare thuhet:

Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 11:00 deri në orën 17:00, aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta