“Le të ndajmë me botën përreth dashurinë që kemi brenda nesh”, Melania Trump publikon videon nga Shtëpia e Bardhë e dekoruar
Shoqata Mjekësore Britanike (BMA) ka konfirmuar se mjekët rezidentë në Angli do të hyjnë në grevë nga 17 deri më 22 dhjetor, në prag të Krishtlindjes.
Sipas ‘Sky News’, kjo vjen pas një greve pesë-ditore të zhvilluar muajin e kaluar dhe pas “dështimit të vazhdueshëm të qeverisë për të bërë një ofertë të besueshme për paga dhe vende pune”.
“Meqenëse qeveria nuk ka paraqitur një plan të besueshëm për të zgjidhur krizën e vendeve të punës për mjekët rezidentë dhe njëkohësisht po inkurajon ulje reale të pagave, nuk kemi zgjidhje tjetër përveç njoftimit të datave të reja për greva”, tha kryetar i Komitetit të Mjekëve Rezidentë të BMA-së, Dr. Jack Fletcher.
Ai shtoi se grevat mund të shmangen nëse qeveria ofron rritje graduale të pagave dhe zgjidhje të qëndrueshme për sigurinë e vendeve të punës për mjekët. Sipas tij, kjo do të ruante fuqinë punëtore afatgjatë dhe do të evitonte problematikën e pacientëve që presin për vizita te mjekët.
“Kemi parë një përshkallëzim absurd të krizës së vendeve të punës, me mjekët që duhet të tregojnë përvojë shumë më të madhe se më parë për të fituar poste trajnimi. Ky është një faktor kyç që po i shtyn mjekët drejt piketimit”, shtoi ai.
Grevat e mëparshme të mjekëve rezidentë u zhvilluan nga 25 deri më 30 korrik dhe nga 14 deri më 19 nëntor. Greva e muajit të kaluar ishte e 13-ta që nga marsi i vitit 2023 dhe u vlerësua se i kushtoi shërbimit shëndetësor rreth 300 milionë paund.
BMA ka njoftuar gjithashtu se do të votojë për zgjatjen e mandatit për grevë, i cili aktualisht skadon në janar. Nëse votimi i anëtarëve është i suksesshëm, mandati mund të zgjasë deri në gusht të vitit të ardhshëm. Votimi do të zhvillohet nga 8 dhjetori deri më 2 shkurt.
Top Channel