Ishte pjesë e një organizate kriminale, ekstradohet nga Kroacia 55-vjeçari

01/12/2025 11:27
foto ilustruese

Një 55-vjeçar është ekstraduar nga Kroacia në Shqipëri pasi ishte pjesëtar i një organizate kriminale.

Policia e shtetit bën me dije se Emin Shabani, 55-vjeçi lindur në Maqedoninë e Veriut është ekstraduar pasi ishte pjesë e një grupi kriminal që i ka shkaktuar shtetit, dëm të konsiderueshëm ekonomik, nëpërmjet kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë.

Shabani ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi GJKKO kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për të.

Njoftimi i policisë:

Ekstradohet nga Kroacia, një 55-vjeçar, i cili akuzohet nga GJKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që i ka shkaktuar shtetit, dëm të konsiderushëm ekonomik, nëpërmjet kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë.

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, me homologët në Kroaci, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit:

  1. Sh., 55 vjeç, lindur në Maqedoninë e Veriut.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datë 27.05.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Shtetasi E. Sh. akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, duke vepruar si organizatë kriminale, ka kontrabanduar mallra (cigare) për të cilat paguhet akcizë. Me këtë veprimtari, ata i kanë shkaktuar shtetit shqiptar, dëm ekonomik 366 034 540 lekë.

Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta