Ditën e sotme, komuniteti Hasian zhvilloi një aktivitet festiv në kuadër të festave të Nëntorit, me qëllim bashkimin dhe afrimin e gjithë diasporës Hasiane në Britaninë e Madhe.
Qëllimi kryesor i këtij tubimi ishte ribashkimi i komunitetit dhe nisja e nismave të reja, si me komunitetin këtu në Britaninë e Madhe, ashtu edhe me komunitetin në Has, për të ndihmuar qytetarët tanë që janë në nevojë.
Të pranishëm në aktivitet ishin Ambasadori i Shqipërisë, Uran Ferizi, dhe Ambasadori i Kosovës, Ilir Kapiti, si dhe Kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti.
Për Ambasadorin Uran Ferizi, ky ishte një rikujtues i viteve të kaluara, kur familja e tij dhe vetë ai u pritën dhe qëndruan në Krumë të Hasit. Kjo ngjarje tregon lidhjen e fortë që Ambasadori dhe familja e tij kanë me Hasjanët, pasi familja e tij ishte zhvendosur nga Gjakova në Krumë të Hasit.
Atmosfera u gjallërua me këngë, valle dhe muzikë rapsodike të trevës sonë. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe disa përfaqësues të Ansamblit Popullor “Pjetër Bogdani”, të cilët sollën momente të bukura të traditës, ndërsa në skenë performuan edhe nxënës nga shkollat shqipe në Britaninë e Madhe.
Ky aktivitet u realizua falë kontributit të nismëtarëve të krijimit të Diasporës Hasiane:
Misin Daci, Ilir Nabolli, Ermal Karakushi, Ervin Mulaj, Mustaf Ahmati, Shefqet Kraja, Mentor Bokçiu, si edhe shumë të tjerë.
Të gjithë këta janë Hasianë të suksesshëm në Britaninë e Madhe, drejtues kompanish, biznesesh dhe restorantesh të njohura, që po japin shembull të jashtëzakonshëm të bashkimit dhe përgjegjësisë komunitare.
Gjithashtu, të gjithë ushqimet që u shërbyen në këtë event nga “Iliaran Grill House” do të shkojnë për ndihmë të familjeve në nevojë në Has, duke përforcuar kështu dimensionin humanitar të aktivitetit.
Falë mbështetjes së tyre dhe të sipërmarrësve Hasianë, të gjitha shpenzimet e aktivitetit u mbuluan plotësisht, duke treguar vlerat e solidaritetit dhe forcën e komunitetit tonë.
Top Channel