Analiza / Kategoria Superiore, kampionati më “shterpë” i Europës
Prec Zogaj
Mandati trevjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK përfundon pas pak ditësh për t’i lënë vendin kryetarit të ri. Nën drejtimin e tij SPAK nisi të shkruajë historinë e re të “askush mbi ligjin”, një arritje në zhvillim që vendi ynë nuk e kishte njohur më parë.
Duke normalizuar ditë pas dite hetimet penale pa asnjë tabu në sferat e larta, që nga ato për ish-kryeministrat e ish-presidentët Sali Berisha e Ilir Meta, të dy zëvendës-kryeministrave të qeverisë socialiste, Arben Ahmetaj e Belinda Balluku, të disa ministrave, zyrtarëve të tjerë të lartë, të kryebashkiakëve të çdo ngjyre politike, ku spikat hetimi i dërguar për gjykim i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj – pra, me gjithë këtë bilanc të paimagjinueshëm deri dje, SPAK me Dumanin në krye zgjidhi në burim krizën e drejtësisë shqiptare. Që ka qenë pikësëpari krizë e hetimit në sferat e larta të politikës. Merret vesh: kur nuk ka hetim, gjykata nuk ka çfarë gjykon. Si mulliri po kokrra e pa ujë që nuk ka çfarë bluan. Tani ky hendikap është kapërcyer njëherë e mirë.
Duhet ta themi se po vinte koha. Trevjeçari i dytë i SPAK normalisht do të ishte shumë më produktiv se trevjeçari i parë kur çdo gjë pati nisur nga zeroja dhe beteja e madhe kishte nevojë për përgatitje, strategji, kolaudim, mjete dhe logjistikë për të gabuar sa më pak, mundësisht aspak në përballjen e vështirë me të paprekshmit. Në tre vitet e fundit SPAK u mbështet më shumë se më parë me mjete dhe njerëz, me asistencë të kualifikuar nga partnerët amerikanë dhe europianë, me pritshmëri më të larta nga publiku.
Të gjitha këto janë të vërteta, siç është botërisht e vërtetë se sukseset në nivelin e një epopeje në kontekstin e pandëshkueshmërisë tridhjetëvjeçare në sistem janë të lidhura ngushtë me rolin e kryetarit, Altin Dumani. Ai e ka personifikuar bilancin e SPAK gjatë kësaj periudhe. Sikurse qëndrueshmërinë e institucionit përkundrejt sulmeve të pareshtura të armiqve të drejtësisë së re dhe vetë subjekteve të hetimit.
Ka qenë detyra e tij. Por për t’u ngritur në nivelin ku u ngrit nuk do të mjaftonte kryetarllëku formal në një institicion ku prokurorët janë të barabartë në pavarësinë e tyre dhe kryetari është njëri ndër ta, jo njëri mbi ta.
Në këtë marrëdhënie ‘sui generis’ Dumani ishte lloji i kryetarit që nuk e bën posti, por shembulli personal prej prokurori sypatrembur, profesionist dhe atdhetar; të qenët në ballë si një prokuror i thjeshtë që merr pjesë përkrah kolegëve në hetimin e çështjeve me ndjeshmëri të lartë. Njëherësh si kryetari që u bëhet krah dhe mburojë, rrufepritës dhe shigjetapritësi i parë i tyre dhe institucionit nga sulmet e gjithanshme.
Nuk mund të dimë detaje rreth atmosferës dhe marrëdhënieve brenda një institucioni nga më të mbyllurit në vend për shkak të specifikave të punës. Edhe kjo është një meritë sa e Dumanit, aq edhe e prokurorëve që kanë ditur t’i menaxhojnë problemet e punës nën tension të lartë pa i nxjerr në mexhelis ku dihet si përfundojnë.
Në të gjitha daljet para Kuvendin dhe mediave Dumani ka promovuar frymën e punës në ekip. Duke i mbajtur të thartat për vete. Duke mbrojtur kolegët. Duke mos i personalizuar dafinat që një shumicë popullore ia ka taksur pambarimisht si njeriu i javës, i muajit, i vitit. Duke mos u dehur prej tyre me natyrën e tij diskrete. Si ta dijë se dafinat e lavdisë thahen shpejt nëse të marrin mendjen. Ai do të vazhdojë të punojë në SPAK si një prej prokurorëve shembullorë. Njerëzit presin sërish shumë prej tij.
Për të gjitha këto e plot të tjera, “kuota Dumani” në drejtimin e SPAK është një lartësi frymëzuese për pasuesin e tij. Cilido qoftë ai. Kryetarit të ri i bie barra ta mbajë ketë kuotë, ta çojë edhe më lart me vetëdijen se sfidat do të vazhdojnë të jenë të mëdha, pengesat dhe sulmet do të vinë duke u shtuar sa më shumë rritet numri i të hetuarve dhe të dënuarve, sa më pak të paprekshëm që e kanë bërë vetën të preken mbeten në botën e politikës, admnistrimit të pushtetit dhe krimit të organizuar. Është e njohur sentenca se kur përbëjnë vërtetë sukses dhe dominojnë të keqen, përparimet fillojnë të zgjojnë me pak entuziazëm. “Më tepër merren si të mirëqenë dhe vëmendja përqëndrohet tek të këqijat që vazhdojnë të ekzistojnë. Vepron ligji i rëndësisë në rritje të asaj që mbetet”, thotë filozofi gjerman Odo Markuard, që vazhdon: “Sa më shumë negativitet zhduket nga realiteti, aq më acarues bëhet negativiteti që mbetet pikërisht ngaqë pakësohet”.
Nga kjo pikëpamje SPAK duhet të përgatitet të përballet më shumë se deri tani me efektin pozitiv të misionit të vet. Në kuptimin e rënies relative të entuziazmit të publikut. Të rritjes së pretendimeve dhe nihilizmit. Por kjo nuk është se prish punë për një institucion që ka busull ligjin, jo popullaritetin.
Ndërkaq, sulmet e kryqëzuara me potencial të madh mjetesh e mundësish nga eksponentë të PS-së dhe PD-së nuk do të rreshtin. Po ashtu kërcënimet e grupeve kriminale prapa hekura apo në kërkim. Në këtë kontekst SPAK, në mënyrë figurative, do të vërë helmetën dhe do të vazhdojë përpara në misionin për të cilin është ngritur.
Natyrisht, SPAK do ketë gjithnjë çfarë të përmirësojë në punën e vet dhe për këtë bën shumë mirë që mban një antenë ngritur për çdo propozim a kritikë konstruktive. Rastet e teprimit, sado të pakta, shërbejnë për reflektim. Por duhet thënë: lufta e kastës së të korruptuarve dhe malavitës kundër SPAK ka për qëllim final ndalimin e tij, kthimin prapa. E dinë partnerët, e dinë vetë prokurorët, e di publiku i gjerë.
Prokurorët dhe hetuesit e SPAK dinë se po ti lëshojnë duart rryma i kthen prapa në pikën e nisjes. Ata, me sa shihet, nuk do të lëshojnë pe për asnjë çast në betejën e madhe pa i shkuar në fund. Ndonjë teprim nga hetimi, sado që ka kosto për të dëmtuarin pa të drejtë, nuk e prish drejtësinë sepse korrigjohet në gjykatë. Ndërsa kastrimi i SPAK na lë pa drejtësi. Sepse pa akuzë gjykata s’ka punë. Ndaj edhe në ketë trevjeçar të ri me kryetar të ri, falë edhe përvojës e solidaritetit të fituar, ka arsye të besohet se prokurorët e SPAK me kryetarin e ri do të vazhdojnë të shkruajnë historinë e madhe të “askush mbi ligjin” në vendin tonë.
Drejtor i MAPO
Top Channel