“Unë kam qenë pjesë e grupit hetimor”, u la në burg si i përfshirë në trafikim droge, oficeri i Antiterrorit: Pala italiane më dha dhe fletëlavdërim, ju e dini që…

28/11/2025 11:36

GJKKO ka lënë në burg oficerin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i cili u arrestua si pjesë e aksionit të përbashkët mes prokurorisë së Breshias dhe SPAK, ku i dyshuar si i përfshirë në trafikun e drogës nga Amerika Latine dhe Shqipëria drejt shtetit fqinj.

Gjatë mbrojtjes së tij në këtë seancë ai ka mohuar të jetë i përfshirë në grupin e trafikimit të lëndëve narkotike, ndërsa ka deklaruar se llogaria në SKYECC, nuk është e tij.

Ai shton se në këtë operacion të përbashkët, ka qenë pjesë e grupit hetimor, dhe se nga autoritetet italiane ka marrë dhe një certifikatë lavdërimi për punën e bërë.

“Të dy prokurorët e dinë mirë që unë kamë qenë pjesë dhe bashkëpunëtor në këto hetime. Madje pala italiane më ka dhënë fletëlavdërimi”, është shprehur ai.

Top Channel mëson se ai ju drejtua në seancë prokurorit Klodian Braho duke i thënë se ai dhe prokurori Altin Dumani “e dinë që e kanë pasur pjesë të grupit hetimor dhe se ka dhënë kontribut”.

Nga ana tjetër, avokatia e tij deklaroi se nuk ekziston asnjë provë që të evidentojë se shtetasi nën hetim ka përdorur ndonjëherë një pajisje të lidhur me PIN-in HY67U7.

“Nga aktet procedurale rezulton se ndaj shtetasit Igli Haxhiaj është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”, e bazuar pothuajse ekskluzivisht në komunikime të supozuara në platformën “SkyECC”. Gjykata ka arritur në përfundimin se këto komunikime pretendohet se përmbajnë elementë që lidhen me veprime të dyshuara kriminale, përfshirë diskutime mbi lëndë narkotike, mosveprim ndaj detyrimeve procedurale, zbulim të të dhënave sekrete dhe kërkim përfitimesh të parregullta.

E vetmja provë e administruar në këtë fazë përbëhet nga transkriptime të fragmentuara, të pjesshme dhe të paautentifikuara, të cilat nuk mbështeten në prova teknike, materiale apo shkencore që të lidhin personin nën hetim me autorësinë e këtyre komunikimeve. Nuk ekziston asnjë provë që të evidentojë se shtetasi nën hetim ka përdorur ndonjëherë një pajisje të lidhur me PIN-in HY67U7.

Nuk është sekuestruar asnjë pajisje, kartë SIM, aparat celular, adresë IP, IMEI, server log apo metadata. Mungesa totale e dokumentacionit teknik bie ndesh me standardet minimale të kërkuara për vlefshmërinë e një prove dixhitale. Komunikimet nuk përmbajnë as emër, mbiemër, pseudonim të lidhur me të hetuarin, e as asnjë të dhënë personale, familjare apo profesionale. Për pasojë, identifikimi i PIN-it mbetet i pa provuar dhe i pambështetur në prova teknike apo shkencore”, ka deklaruar mbrojtja e Haxhiajt.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta