Trump paralajmëron aksion tokësor kundër rrjeteve të dyshuara të trafikut të drogës në Venezuelë: Fillon shumë shpejt

28/11/2025 07:28

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni pritet të ndërmarrë shumë shpejt veprime të reja tokësore kundër rrjeteve të dyshuara të trafikut të drogës në Venezuelë.

Gjatë një komunikimi me ushtarët amerikanë në Ditën e Falënderimeve, Trump tha se operacionet në terren do të nisin “shumë së shpejti”.

Në fjalën e tij, Trump theksoi se trafiku detar nga Venezuela është reduktuar ndjeshëm pas goditjeve të fundit, ndërsa paralajmëroi se SHBA do të përqendrohet në ndalimin e rrjeteve që operojnë nga toka.

Sipas presidentit amerikan, objektivi është “të ndalojë helmimin e vendit” nga trafiku i drogës, duke shtuar se paralajmërimet ndaj grupeve kriminale janë bërë të qarta.

Këto deklarata vijnë ndërsa SHBA ka rritur ndjeshëm praninë ushtarake në rajon. Më shumë se një duzinë anijesh luftarake dhe rreth 15 mijë trupa po operojnë si pjesë e “Operation Southern Spear”, një fushatë që deri më tani ka shkaktuar mbi 80 viktima në goditjet ndaj mjeteve të dyshuara detare të trafikut të drogës.

Këtë javë, administrata Trump shpalli presidentin venezuelas Nicolás Maduro dhe zyrtarë të qeverisë së tij si pjesë të një “organizatë të huaj terroriste”, të quajtur “Cartel de los Soles”. Ky emërtim lejon vendosjen e sanksioneve të reja ndaj aseteve dhe strukturave të regjimit venezuelas, megjithëse, sipas ekspertëve, nuk jep autorizim të drejtpërdrejtë për përdorim të forcës vdekjeprurëse në territorin e Venezuelës.

Pavarësisht retorikës së fortë, zyrtarë të administratës i kanë thënë Kongresit në një seancë të klasifikuar se aktualisht SHBA nuk ka bazë ligjore për të kryer sulme tokësore brenda Venezuelës. Opinionet ligjore të Departamentit të Drejtësisë, që justifikojnë goditjet ndaj anijeve të dyshuara, nuk mbulojnë sulme ndaj objektivave brenda territorit venezuelian.

Megjithatë, zyrtarët nuk e përjashtuan mundësinë e veprimeve të ardhshme, ndërsa administrata vazhdon të shmangë përfshirjen e Kongresit në operacionet ushtarake në Amerikën Latine.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta