“Vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë”/ Spiropali i përgjigjet urimit të Rubios për Pavarësinë: Shqipëria dhe SHBA, bashkë në altarin e vlerave demokratike
Një 39-vjeçar nga Fieri është vënë në pranga në Athinë, duke zbuluar sipas autoriteteve një nga skemat më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës që prek disa kontinente.
Osmen Hoxha, i kërkuar nga Belgjika me urdhër arresti të Interpolit, dyshohet se ka pasur rol qendror në një rrjet të sofistikuar që sillte tonelata kokaine nga Amerika Latine drejt Evropës.
Hetimet nisën në Belgjikë, pasi në portin e Antwerpit u kap një kontejner me 500 kilogramë kokainë të pastër. Por ekspertët thonë se kjo ishte vetëm “maja e ajsbergut”. Përgjimet e mëvonshme zbuluan biseda ku flitej për “3.500 copë”, term që autoritetet besojnë se i referohet kilogramëve.
Droga vinte nga Ekuadori, lëvizte përmes Rusisë dhe përfundonte në zona të quajtura “pika sterile” në Antwerp, ku hapej dhe rishpërndahej.
Sipas dosjes belge, grupi funksiononte si një kompani shumëkombëshe:
“Shtëpi të sigurta” në Belgjikë, Spanjë dhe Greqi, apartamente për ripaketim, kompani transporti që shërbenin si mbulesë, ndërmjetës që lëviznin mes Ballkanit dhe Evropës Veriore, komunikime të koduara dhe njerëz të brendshëm në porte.
Çdo ngarkesë kokaine vlente dhjetëra milionë euro.
Hoxha dyshohet se ishte personi që koordinonte lëvizjet, jepte urdhra dhe mbante lidhjet mes Evropës, Shqipërisë dhe Amerikës Latine. Agjencia Greke Kundër Drogës e identifikoi dhe e arrestoi në Athinë, duke hapur rrugën për ekstradimin e tij drejt Belgjikës.
Avokati i të arrestuarit, Sakis Kechagioglou, thotë se mbrojtja kërkon gjykim në Belgjikë, ku maksimumi i dënimit është 15 vjet. Në Greqi, akuza të tilla dënohen deri me burgim të përjetshëm, një ndryshim që, siç thotë ai, “vendos fatin penal të klientit”.
Ky operacion konsiderohet ndër më të rëndësishmit në vitet e fundit. Për herë të parë, hetimet lidhin në një zinxhir të vetëm trafikun nga:
Ekuador – Belgjikë – Spanjë – Greqi – Shqipëri – Rusi.
Rasti tregon se kartelet përdorin porte të shumëfishta, se Ballkani po shndërrohet në korridor kryesor të trafikut dhe se Greqia është kthyer në nyje mbikëqyrjeje për rrjetet ndërkombëtare.
E gjithë skema u zbulua pas një arrestimi në Athinë, që u shndërrua në pikënisjen e një efekti domino në hetimet ndërkombëtare.
Top Channel