Ekspozita kontemporane/ Tirana hap edicionin e dytë të “Art Weekend” me 80 artistë nga rajoni dhe bota

28/11/2025 13:11

Tirana Art Weekend 2025 çeli edicionin e dytë me një program të gjerë ekspozitash dhe aktivitetesh nga artistët bashkëkohor të artit pamor.

Ky event që zgjat deri në 30 nëntor përfshin 33 ekspozita dhe aktivitete me 80 artistë nga Shqipëria, Kosova dhe bota.

“Ky rrjet i gjerë përfshin institucione të pavarura, organizata me histori të ndryshme të cilat krijojnë një pamje të qartë të skenës artistike të artit bashkëkohor. Qendra e këtij edicioni është instituti i integrimit të ish të përndjekurve politikë, një hapësirë e ngarkuar me histori, e cila për herë të dytë mirëpret këto iniciativa, që nuk janë të përhershme në Tiranë”, është shprehu  drejtor i Albanian Visual Arts Network, Elian Stefa.

Në godinën e ish të përndjekurve, ekspozita e 19 artistëve, e kuruar nga Arnold Braho është një rrugëtim përmes veprave që trajtojnë fëmijërinë, diasporën dhe kujtesën.

“Ekspozita quhet ‘Rivënia në skenë e një fabule’. Kjo është dhoma e parë, ku paraqita punën e Xhenfize Kekos, regjisores së njohur, te filmat e së cilës kishte një lloj lirie, pavarësisht ideologjisë së kohës. Zgjodha ‘Kur po xhirohej një film’ për publikun”, tha kuratori Arnold Braho.

Në një ambient tjetër, gjembaçët ngrihen mbi mure e dysheme, teksa disa objekte të vjetra ngjallin kureshtjen e vizitorëve.

“Ekspozita përfaqëson shumë gjenerata të ndryshme artistësh. Ky është një instalacion specifik, shumë personal e autobiografik, aq sa disa element vijnë nga dhoma e gjumit e autorit. Madje këto bimë vijnë nga fshati i tij, i ka mbledhur nëpër male”, tha Braho.

Nostalgji dhe përzierje emocionesh ngjallin këto krijime kontemporane, që nisin me kujtimet e fëmijërisë.

“Kjo dhomë është  e fundit në këtë vend, në këtë hapësirë. Dhe këtu kemi paraqitur tre artistë. Kemi këto poezi që flasin për transformimin e qytetit. Janë edhe këto rosat, që duket sikur janë qëlluar. Ato vijnë nga një imazh, një foto e peshqirit të fëmijërisë, pra, kemi imazhe që vijnë nga e kaluara, ashtu si këto video të bëra në vitet ’90”, tha kuratori.

Art Dixhital, ekspozita, instalacione, performancë, shfaqje dhe diskutime, për tre ditë, Tirana do të jetë qendra e artit bashkëkohor me aktivitete në disa isntitucione kulturore.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta