Shtyhet në datën 5 dhjetor seanca parapake ndaj ish-presidentit Meta, avokati: Është i relaksuar, merret me palestër dhe po shkruan libër
Autoritetet italiane kanë goditur një rrjet të madh trafiku droge që furnizonte me kokainë tregun e Romës.
Guardia di Finanza në bashkëpunim me Antimafian (DDA), ka ekzekutuar urdhër-arreste ndaj 8 personave të dyshuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të specializuar në trafikun e lëndëve narkotike.
Sipas RAI, hetimet kanë zbuluar se grupi drejtohej nga një shtetas shqiptar i cili banonte në Holandë, ku përmes platformave të komunikimit të koduar koordinonte lëvizjen e kokainës drejt disa vendeve të Europës, përfshirë Italinë.
Në Romë, organizata kishte ngritur një qelizë operative që merrej me pritjen e ngarkesave, depozitimin e tyre në ambiente të sigurta dhe më pas shpërndarjen në pikat kryesore të shitjes në qytet.
Zona si Borghesiana, Pigneto, Spinaceto, Torre Spaccata, Alessandrino, Tor De’ Cenci, Finocchio, Capannelle dhe Tor Bella Monaca shërbenin si qendra kryesore furnizimi, duke u përdorur edhe nga grupe të tjera kriminale.
Për transportin, rrjeti përdorte korrierë italianë dhe automjete të modifikuara me vende të fshehta, të përgatitura nga pronari i një kompanie bashkëpunuese me organizatën.
Policia ka raportuar trafikimin e mbi 210 kilogramëve kokainë, prej të cilave 130 kilogramë u sekuestruan gjatë operacioneve, me një vlerë totale rreth 1 milion euro.
Gjatë aksioneve u arrestuan në flagrancë tre persona, një italian dhe dy shqiptarë, ndërsa të tjerët u ndaluan më pas me urdhër të gjykatës.
Top Channel