Gjykata Supreme e Spanjës urdhëroi paraburgimin për ish-ministrin e Transportit, José Luis Ábalos, i cili është i përfshirë në një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit që trondit qeverinë e majtë të kryeministrit Pedro Sánchez.
Sipas një vendimi të raportuar nga Reuters, gjykata tha se Ábalos, i cili ka qenë gjithashtu një figurë e lartë në Partinë Socialiste në pushtet, duhet të mbahet në paraburgim për shkak të rrezikut të mundshëm të arratisjes.
Javën e kaluar, prokurorët antikorrupsion kërkuan 24 vjet burg për të.
Ábalos akuzohet, së bashku me ish-ndihmësin e tij Koldo García dhe një biznesmen, për manipulim të kontratave publike për furnizime mjekësore, përfshirë maska mbrojtëse, gjatë pandemisë COVID-19, kur ai ishte pjesë e kabinetit qeveritar, ndërsa të dy, Ábalos dhe García, kanë mohuar çdo shkelje.
Rasti u zbardh në shkurt të vitit 2024, pas arrestimit të Garcías, dhe nxori në pah një skemë mashtrimi që i mundësoi një kompanie të vogël të siguronte kontrata publike me vlerë rreth 53 milionë euro, për furnizimin me maska për institucione të ndryshme shtetërore gjatë pandemisë COVID-19.
Top Channel