Alarmi i dronëve të panjohur në Europë, Holanda blen 100 radarë për zbulimin e tyre
Kompania hungareze, MOL, mund ta blejë një pjesë të aksioneve në Industrinë e Naftës së Serbisë, NIS, e cila është në pronësi ruse, dhe bisedimet për këtë mundësi janë ende duke vazhduar, tha të enjten shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban.
Serbia duhet ta gjejë një blerës për NIS-in, i cili është nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë së tij ruse. Këto sanksione kanë ndalur furnizimet me naftë të papërpunuar nga tubacioni kroat, JANAF.
Beogradi ka paralajmëruar se NIS, si rafineria e vetme e naftës në Serbi, do të detyrohet të mbyllet këtë javë, nëse zbatimi i sanksioneve nuk shtyhet. Orban, i cili u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq gjatë një vizite në Serbi të enjten, tha se do të zhvillojë bisedime të premten për t’u siguruar se Hungaria do të marrë mjaftueshëm naftë dhe gaz rus, gjë që do t’ia mundësonte asaj gjithashtu ta furnizojë me naftë të papërpunuar edhe Serbinë fqinje.
Orban nuk tregoi se ku ose me kë do të zhvillonte bisedimet, pas raporteve se ai pritet të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Moskë të premten.
Lideri hungarez është aleat si i Putinit, ashtu i presidentit amerikan, Donald Trump, dhe është siguruar që Hungaria të vazhdojë të marrë naftë dhe gaz rus, pavarësisht përpjekjeve të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian për ta ulur varësinë nga energjia ruse.
Orban tha gjithashtu se Hungaria “me kënaqësi” do të merrte rol në NIS-in e Serbisë, por se i takon Serbisë të vendosë për të ardhmen e rafinerisë së saj të goditur nga sanksionet amerikane. Shefi i kabinetit të tij, Gergely Gulyas, tha më herët gjatë ditës se “mund të ketë një mundësi për një transaksion normal tregu, por këto bisedime janë duke u zhvilluar. Dua të theksoj sërish se është në interes të … NIS-it që pronësia ruse të përfundojë”.
“Një mundësi është që MOL të marrë rol më të madh”, tha Gulyas, duke shtuar se Hungaria është “e gatshme të shqyrtojë” ndihmën për transaksionin nëse është e nevojshme.
Vuçiq tha të martën se Beogradi do t’u japë pronarëve rusë të NIS-it – Gazprom Neft dhe Gazprom – 50 ditë kohë për të shitur aksionet e tyre në NIS, përndryshe Qeveria do të marrë kontrollin e operacioneve dhe do të paraqesë një ofertë për t’i blerë ato.
Gazprom Neft zotëron 44.9 për qind të NIS-it dhe Gazprom 11.3 për qind. Serbia ka 29.9 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër mbahet nga aksionarë të vegjël.
Top Channel