Aktivitet i shtuar ushtarak në zonë, Venezuela ndalon uljen e gjashtë linjave ajrore ndërkombëtare

27/11/2025 18:20

Venezuela u ka ndaluar gjashtë linjave ajrore të mëdha ndërkombëtare të ulen në territorin e saj, pasi ato nuk përmbushën afatin 48-orësh për të rifilluar fluturimet drejt vendit.

Kompanitë ajrore kishin pezulluar përkohësisht itineraret për në kryeqytetin Karakas, pas paralajmërimeve të SHBA-së për “aktivitet të shtuar ushtarak” në zonë. Për shkak të kësaj situate, qeveria venezueliane u vendosi transportuesve një ultimatum, i cili skadoi të mërkurën. Ndërsa disa linja ajrore më të vogla vijojnë fluturimet drejt Venezuelës, mijëra pasagjerë janë prekur nga kjo masë.

Sipas BBC, autoritetet amerikane kanë dislokuar një forcë të madhe detare pranë brigjeve të Venezuelës, të cilën e justifikojnë si operacion kundër trafikut të drogës. Megjithatë, udhëheqja venezueliane e ka denoncuar këtë veprim si një përpjekje për rrëzimin e presidentit Nicolás Maduro.

Autoriteti i Aviacionit Civil të Venezuelës njoftoi se Iberia, TAP Portugal, Gol, Latam, Avianca dhe Turkish Airlines do të humbasin menjëherë të drejtat e uljes dhe ngritjes në aeroportet e vendit. Institucioni akuzoi këto kompani për “bashkëpunim me veprime të terrorizmit shtetëror të promovuara nga qeveria e Shteteve të Bashkuara” dhe për pezullim të njëanshëm të fluturimeve komerciale.

SHBA-të kanë vendosur rreth 15 mijë trupa dhe aeroplanmbajtësen më të madhe në botë, USS Gerald Ford, në distancë goditjeje nga Venezuela. Sipas Uashingtonit, ky është dislokimi më i madh në rajon që nga pushtimi i Panamasë në vitin 1989 dhe synon luftimin e trafikut të drogës.

Forcat amerikane kanë kryer të paktën 21 ndërhyrje ndaj anijeve që pretendohet se transportonin drogë, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 80 personave. Megjithatë, nuk janë bërë publike prova konkrete dhe analistë të shumtë kanë vënë në dyshim përmasat e këtij operacioni.

Qeveria e Venezuelës beson se objektivi real është rrëzimi i presidentit Maduro, rizgjedhja e të cilit vitin e kaluar u cilësua nga opozita dhe disa shtete të huaja si e manipuluar.

Në mesin e tensioneve në rritje, Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) lëshoi një paralajmërim për operatorët që fluturojnë drejt aeroportit Maiquetía, duke i këshilluar të tregojnë kujdes në të gjitha lartësitë për shkak të përkeqësimit të sigurisë dhe intensifikimit të aktivitetit ushtarak.

Pas këtij paralajmërimi, linjat ajrore tashmë të ndaluara pezulluan fluturimet e tyre drejt Venezuelës. Përpjekjet e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA) për të qetësuar situatën, duke theksuar gatishmërinë e kompanive anëtare për të rifilluar operacionet, nuk patën sukses.

Së fundmi, si Maduro ashtu edhe presidenti amerikan Donald Trump kanë sinjalizuar gatishmëri për dialog. I pyetur gjatë një udhëtimi me Air Force One, Trump deklaroi se “mund të flasë” me Maduron, por paralajmëroi gjithashtu se SHBA-të janë të gatshme të veprojnë “si në mënyrë të lehtë, ashtu edhe në mënyrë të vështirë”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta