Kosova merr statusin e vendit vëzhgues në rrjetin kulturor Traduki, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit: Lajm i mirë për librin shqip

26/11/2025 13:26

Në mbledhjen e radhës së rrjetit kulturor Traduki të mbajtur në Bazel të Zvicrës, Kosova merr statusin e vendit vëzhgues tek Traduki. 

Gjatë takimit u mor vendimi për statusin e vëzhguesit për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Më 17-18 nëntor në mbledhjen e mbajtur në Bazel të Zvicrës, morën pjesë të gjitha shtetet e anëtarësuara në Traduki. Pjesë e Tradukit është edhe Shqipëria, ku u përfaqësua nëpoërmjet drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli.

Bardhyli u shpreh se marrja e statusit së vendit vëzhgues për Kosovën është një lajm i mirë për librin shqip.

“Marrja e statusit është një mundësi shumë e mirë për librin shqip, për promovimin e letërsisë shqipe të Kosovës jashtë kufijve, krijimin e urave të bashkëpunimit kulturor”, tha ndër të tjera, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli.

Ishin shumica e anëtarëve prezentë (14 vota pro, dy abstenime) që ranë dakord që Biblioteka Kombëtare e Kosovës të marrë statusin e vëzhguesit në rrjetin TRADUKI — si në Komisionin e Programit, ashtu edhe në Komitetin Drejtues — duke filluar nga takimi i ardhshëm i TRADUKI-t në pranverën e vitit 2026.

Statusi i vëzhguesit përfshin të drejtën e pranisë dhe pjesëmarrjes së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në takimet e që mbahen, por nuk përfshin të drejtën e votës apo të drejtën për të marrë pjesë aktive në proceset vendimmarrëse në asnjërin prej këtyre organeve.

Në këtë vendim të marrë për Kosovën pati një distancim nga pala serbe.

“Duhet të theksoj se ky vendim (rreth statusit të vëzhguesit) u mor me thjesht tejkalim me vota, pavarësisht kundërshtimit të qartë të shprehur nga pala serbe. Në këtë mënyrë, kuadri formal i Traduki-t u shty deri në kufi. Një procedurë e tillë vështirë se mund të kontribuojë në zhvillimin e një rrjeti në të cilin pjesëmarrës të ndryshëm bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në baza të barabarta dhe me respekt të ndërsjellë, ku secili jep ekspertizën dhe kontributin e tij në mënyrë konstruktive”, u shpreh një përfaqësues nga Serbia.

Shqipëria ishte pjesëmarrëse edhe në mbledhjen e 35-të të rrjetit Traduki që u mbajt nga datat 14-15 prill në Zagreb. Rritja e mbështetjeve mbi botimet dhe përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhët e rajonit ishte pjesë e diskutimeve.

Rrjeti “Traduki” mbështetet në shkëmbimin midis pjesëmarrësve nëpërmjet një programi përkthimesh nga letërsia, libra eseistikë-dokumentarë aktualë, si dhe libra për fëmijë e të rinj të shekujve XX dhe XXI. Një vëmendje e veçantë u kushtohet përkthyesve, veprimtaria e të cilëve si përçues të rëndësishëm kulturorë i ka dhënë emrin këtij projekti. Takimet midis shkrimtarëve, përkthyesve, botuesve, bibliotekarëve, kritikëve dhe shkencëtarëve kanë për qëllim të nxisin shkëmbimin e informacionit europian e ndërrajonal, si dhe të forcojnë bashkëpunimin.

Rrjeti i përkthimit TRADUKI vepron prej 15 vjetësh në Ballkan. Me ndihmën e tij janë përkthyer mbi 900 libra. Në disa vende të rajonit, si në Shqipëri, ka vënë standarde të reja në marrëdhëniet me përkthyesin.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta