Inside Story/ Propaganda greke dhe realiteti, vllehët e Jugut të Shqipërisë: Jemi krenarë që jemi shqiptaro-vlleh!
Pas rrëzimit të komunizmit, në fillim-vitet 90 dhe mandej në tranzicionin që pasoi, nisi një faqe e re dhe shumë e rëndësishme për vllehët e shqiptarët.
Varfëria, mungesa e lirisë dhe dëshira për kushte më të mira solli eksode të përbashkëta, por ndërkohë që ne vuanim për bukë, shtetet e tjera nisën marshimin për joshjen dhe afrimin e vllehëve të Shqipërisë në identitete që nuk i përkasin. Kjo, është konstatuar nga autoritetet si politikë e fqinjëve, edhe pse askush nuk e thotë me zë.
“Ballkani ka vuajtur nga këto ide për rritur numra artificialë. Shqipëria në vitet 90 ka qenë vend i varfër dhe mund të manipuloje rehat me pensione dhe pasaporta. Sot duhet të ezaurohet, sepse Shqipëria është pranë BE”, u shpreh Konsulli i nderit i Rumanisë/Vlleh, Elvis Toçi.
Të gjendur në udhëkryqe të tilla, vllehët ndërmorën hapat e tyre për të krijuar dhe mbrojtur identitetin e tyre. Ata menduan të bashkohen në një parti që do i bënte të gjithë bashkë, por duket se gjithçka devijoi rrugës.
“Në vitet 90-94, u krijua një situatë dhe u mblodhën vllehët në Selenicë dhe krijuan një organizatë. U krijuan një shoqatë të vllehëve dhe filluan organizimin. Të ishin zë. U bë një gabim, sepse me gënjeshtrën që duhet të bëheshim me PBDNJ, ndërkohë parti u kanalizua me marrëdhëniet me shtetin grek që ishin dhe vllehët”, u shpreh avokati, Edmond Petraj.
“Në takimin e parë që u bë, ku ishin shumë vllehë, aty u bë për thirrjen e zgjimin e identiteti kombëtar. Në këtë moment u futën dy shtete, që kemi marrëdhënie pozitive si Greqia dhe Rumania, por ne nuk jemi as rumunë, as grekë. ADN jonë nuk anon nga ata. Ne kemi gjuhën dhe identitetin tonë. Ne nuk jemi pjesë e tyre si etni”, u shpreh avokati, Edmond Petraj.
Një zhvillim i tillë reflektohet lehtësisht në perceptimin e përgjithshëm për vllehët dhe kjo solli pasoja të mëdha në vendqëndrimet e këtij komuniteti dhe me ndasi të shumta mes tyre, që nuk sollën asnjë të mire. Vetë komuniteti u nda në 3 drejtime, ata që ishin afër Greqisë, të tjerë që mbështesnin Rumaninë dhe një pjesë që i qëndronin vetëm idesë së trungut që janë vlleh dhe s’kanë asnjë etni tjetër.
“Greqia donte ti jepte një ndihmë vllehëve për të punuar dhe favorizuar, Rumania nuk e bëri. Greqia luajti një rol tjetër me infiltrimin e personazheve të caktuara për të ndërtuar kauzën e vllehëve. Në rast se vllehët në Shqipëri do të organizoheshin, do të ndikonte dhe në zgjimin e vllehëve të Greqisë, prandaj investuan për ta mbajtur nën thundra me vite për të mos zgjuar pjesën nacionale në shtetin grek”, u shpreh avokati, Edmond Petraj.
“Nuk i lejon të hapin shkollë dhe shteti grek nuk i njeh si komuniteti. U thotë përveç se jeni grek që keni mësuar gjuhën vllahe, nuk jeni asgjë tjetër, vetëm grek”, u shpreh avokati, Edmond Petraj.
Në fakt, arsyet se pse kanë shtyrë vllehët drejt pasaportave të huaja ka të bëjë vetëm me interesa të ngushta dhe për një fakt të rëndësishëm, që nuk ka kanë pasur thuajse kurrë kupolë drejtuese të pranuar gjerësisht si popullsi. Pra, nuk kanë pasur thuajse asnjëherë një unitet.
“Nuk ka kush ti drejtojë. Unë ti drejtoj? Atëherë vëllehët tërhiqen, njëherë andej, njëherë këndej. Janë disa interesa të vogla që na bëjnë të merremi me këto shtete. Këto dy shtetësi dhe ne vllehët kemi marrë dy nënshtëtetës, greke dhe shqiptare, si shqiptarët që kanë marrë dy. Pse i marrin vllahët shtetësinë greke?”, u shpreh mësuesi Nasho Shyti.
Top Channel