Digjen qindra goma pranë lumit Luma në Kukës, tymi i zi mbulon zonën, autoritetet mungojnë në terren

26/11/2025 15:23

Në zonën poshtë ish-Uzinës Mekanike në Kukës, pranë brigjeve të lumit Luma, qindra goma të përdorura makinash janë përfshirë nga flakët, duke shkaktuar një ndotje masive të ajrit.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë shtylla të dendura tymi të zi që ngrihen qindra metra lart, ndërsa terreni përreth mbulohet nga një shtresë smogu.

Djegia e gomave shihet e përhapur në disa pika, duke krijuar dyshime për një zjarr të vënë qëllimisht. Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy është mungesa e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse. Në zonë nuk është parë asnjë automjet zjarrfikës dhe as patrullë policie, ndërsa flakët vazhdojnë të djegin mbetjet pa kontroll.

Pavarësisht reshjeve të shiut, tymi i rëndë vazhdon të ngrihet, duke ndotur ajrin dhe duke rrezikuar zonat përreth, përfshirë edhe lumin që ndodhet vetëm pak metra larg zjarrit. Ky episod shton edhe një herë shqetësimet për situatat e përsëritura të ndotjes në qytet dhe mungesën e reagimit ndaj tyre.

Ngjarja rikthen në vëmendje nevojën urgjente për monitorim të zonave problematike dhe për masa të menjëhershme nga autoritetet lokale e mjedisore, në mënyrë që raste të tilla të mos kthehen në praktikë të përditshme dhe të mos rrezikojnë shëndetin publik e mjedisin.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta