6 vite pas tërmetit në Durrës/ Mbetën pa shtëpi, 200 familje marrin çelësat e apartamenteve të reja

26/11/2025 15:53

6 vite pas tërmetit ende familje të pastreha në Durrës.

Sipas kryetares së bashkisë, 200 familje kanë marrë çelësat e apartamenteve në lagjen e re në Spitallë që pritet të bëhet funksionale së shpejti, ndërsa për gjimnazin “Gjergj Kastrioti”, ajo tha se po punohet për një projekt unik në rajon

Sot, gjashtë vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, foli pas ceremonisë së ngritjes së Flamurit në Durrës, për procesin e Rindërtimit dhe për fazën ku ndodhet gjimnazi “Gjergj Kastrioti”, ku dy vite më parë u zbuluan gjetje me vlerë të lartë arkeologjike.

Sako bëri të ditur se rreth 200 familje të prekura nga tërmeti kanë marrë tashmë çelësat e apartamenteve të reja në lagjen e Spitallës. Kjo zonë, e rindërtuar me fondet e Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshin gjithsej 996 apartamente. Ajo theksoi se shpërndarja e çelësave, e nisur në shtator, vijon dhe se familjet e tjera do të sistemohen gradualisht në banesat e reja.

“Shpresojmë që lagjja e re të marrë jetë sa më shpejt dhe komuniteti të rikthehet në normalitet”, tha Sako.

Ndërkohë, gjimnazi “Gjergj Kastrioti” mbetet i vetmi institucion arsimor në Durrës që ende nuk ka nisur të ndërtohet. Arsyeja lidhet me zbulimet arkeologjike, të zbuluara nga specialistët gjatë gërmimeve. Për shkak të këtyre gjetjeve, projekti është ende në fazën e hartimit dhe ndërtimi është shtyrë pa afat.

Sako bëri të ditur se po punohet me një grup të posaçëm, pasi objekti pritet të kthehet në një rast të veçantë bashkëjetese mes arsimit dhe trashëgimisë kulturore.

Do të jetë rasti i parë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, që një shkollë bashkëjeton me një monument kulture. E rëndësishme është që, përveç ndërtimit të shkollës, të trajtojmë me të njëjtën vëmendje edhe gjetjet arkeologjike. Duam të zgjidhim çështjet e sigurisë dhe aksesit, sepse një institucion arsimor ka specifika të veçanta gjatë gjithë ditës” tha kryebashkiakja.

Projekti për gjimnazin pritet të sjellë një model të ri integrimi të trashëgimisë kulturore në hapësirat arsimore, por deri atëherë gjimnazi vijon në kushte të vështira mësimin, në njê shkollë pritëse, pa laboratorë. Ndërkaq procesi i Rindërtimit vijon ende në Durrës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta