“Jingle Bells”, Gjermania hap tregjet e Krishtlindjeve, shton masat e sigurisë

25/11/2025 13:10

Tregjet tradicionale të Krishtlindjeve u hapën në të gjithë Gjermaninë me stendat e tyre të famshme prej druri me verë të nxehtë, salçiçe të pjekura në skarë ose mollë të karamelizuara.

Por momenti që sjell më pranë frymën e festave të fundvitit, u shoqërua me një shtim të ndjeshëm të masave të sigurisë, në një kohë kur kujtimet e dy sulmeve vdekjeprurëse në tregje të tilla janë ende të freskëta për shumë gjermanë.

Në Berlin, tregu i famshëm në kishën Gedächtniskirche të qytetit u hap me shërbim të hapur për publikun të hënën në mëngjes.

Hapje të tjera përfshinin tregjet e Krishtlindjeve në bashkinë Rotes Rathaus, Gendarmenmarkt dhe Pallatin Charlottenburg.

Tregjet e Krishtlindjeve janë një traditë vjetore që gjermanët e kanë çmuar që nga Mesjeta – dhe e kanë eksportuar me sukses në pjesën më të madhe të botës perëndimore.

Atje shesin jo vetëm ushqime të lehta dhe pije, por edhe qirinj të punuar me dorë, kapele leshi, doreza dhe yje të shndritshëm të Krishtlindjeve në të gjitha ngjyrat dhe format. Fëmijët shijojnë udhëtime në karusele dhe patinazh në pistat e akullit.

Por, siç theksojnë mediat, siguria është një problem në të gjitha tregjet në të gjithë vendin.Vitin e kaluar, pesë gra dhe një djalë vdiqën, dhe shumë të tjerë u plagosën në një sulm me makinë në një treg Krishtlindjesh në qytetin e Magdeburgut më 20 dhjetor.

Autori i sulmit që nuk zgjati veçse pak më shumë se një minutë, është aktualisht në gjyq në Magdeburg.

Ndërkohë në 19 dhjetor 2016, një sulmues përplasi kamionin ndaj një turme  njerëzish që shkonin në tregun e Krishtlindjeve po në kishën Gedachtniskirche në Berlin, duke vrarë 13 persona dhe duke lënduar dhjetëra të tjerë. I dyshuari u vra disa ditë më vonë në një shkëmbim zjarri në Itali.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta