Rusia reagon pas propozimit europian për paqe, këshilltari i Putin: Plotësisht jokonstruktiv, nuk funksionon për ne
Ukraina ka ndryshuar ndjeshëm “planin e paqes” të SHBA-së për Ukrainën, duke hequr disa nga kërkesat e Rusisë, thanë njerëz të njohur me negociatat, ndërsa udhëheqësit evropianë paralajmëruan sot se nuk mund të arrihet një marrëveshje shpejt.
Volodymyr Zelenskyy mund të takohet me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më vonë këtë javë, treguan ata, mes një fluksi telefonatash midis Kievit dhe Uashingtonit. Ukraina gjithashtu po bën presion që Europa të përfshihet në bisedime.
Sipas The Guardian, plani origjinal prej 28 pikash SHBA-Rusi u hartua muajin e kaluar nga Kirill Dmitriev, i dërguari special i Vladimir Putinit, dhe përfaqësuesi i Trumpit, Steve Witkoff. Ai i bën thirrje Ukrainës të tërhiqet nga qytetet që kontrollon në rajonin lindor të Donbasit, të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj dhe të mos bashkohet me NATO-n.
Gjatë negociatave të dielën në Zvicër, të udhëhequra nga sekretari i shtetit i SHBA-së, Marco Rubio dhe shefi i stafit të Zelenskyy, Andriy Yermak, plani u rishikua në thelb. Tani ai përfshin vetëm 19 pika. Kievi dhe partnerët e tij europianë thonë se vija ekzistuese e frontit duhet të jetë pika fillestare për diskutimet territoriale.
Ata thonë se nuk mund të ketë njohje të tokës së sekuestruar nga Rusia ushtarakisht dhe shtojnë se Kievi duhet të marrë vendimet e veta nëse do të bashkohet me BE-në dhe NATO-n, diçka për të cilën Kremlini dëshiron të vërë veton ose të vendosë kushte.
Më pas, Rubio i përshëndeti bisedimet e së dielës si “shumë pozitive”. Duke shkruar në Truth Social, Trump, i cili ditë më parë kishte akuzuar udhëheqjen e Ukrainës se nuk kishte “mirënjohje”, përdori një ton pozitiv.
“A është vërtet e mundur që po bëhet përparim i madh në bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës??? Mos e besoni derisa ta shihni, por diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur. ZOTI E BEKOFTE AMERIKËN!”, shkroi presidenti.
Delegacioni i Ukrainës informoi Zelenskyy-n rreth bisedimeve të hënën, pasi u kthye nga Gjeneva në Kiev. Ata e përshkruan versionin e fundit të planit si më realist. Veçmas, Zelenskyy foli me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance, dhe i kërkoi atij të përfshijë vendet europiane në proces. Vance thuhet se u pajtua.
Mbretëria e Bashkuar dhe BE u habitën javën e kaluar kur plani origjinal u zbulua në median amerikane. Sekretari i ushtrisë, Dan Driscoll, miku dhe shoku i klasës J.D Vance në universitet u dërgua në Kiev me një delegacion ushtarak për të informuar Zelenskyy-n mbi përmbajtjen e tij.
Që atëherë, qeveritë europiane kanë kërkuar të rishikojnë dokumentin, i cili duket se është shkruar fillimisht në rusisht. Ata publikuan kundërpropozimet e tyre dje, të cilat bënin thirrje për respektimin e sovranitetit të Ukrainës.
Bisedimet vijnë ndërsa Zelenskyy është në gjendjen e tij më të dobët që nga fillimi i luftës, pas një skandali korrupsioni që çoi në shkarkimin e dy ministrave të tij dhe ndërsa Rusia po bën përparime në fushën e betejës.
Top Channel