“Kemi marrë kërcënime nga politika dhe krimi”/ Dumani në Bruksel: Prokurorët e SPAK janë të përgatitur për…
Më 16 dhjetor, në Athinë pritet të zhvillohet një takim i rëndësishëm diplomatik mes ministrit të Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, dhe homologes së tij shqiptare, Elisa Spiropali, e cila viziton për herë të parë kryeqytetin grek pas marrjes së detyrës.
Lajmin e bëjnë me dije gazeta TA NEA, por edhe dy portale të mëdha greke newsbeast dhe epolitical. Sipas publikimeve të tyre që ju referohen burimeve diplomatike, dy vendet synojnë të hartojnë një “rrugë të re bashkëpunimi”, me fokus tre shtylla kryesore: ZEE, energjinë dhe integrimin evropian të Shqipërisë.
Çështja kryesore në tavolinë do të jetë përcaktimi i kufijve detarë dhe i Zonës Ekonomike Ekskluzive. Athina dhe Tirana kanë rënë dakord që nga viti 2020 që çdo mosmarrëveshje mbi ZEE t’i dërgohet Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, një proces që konfirmon vullnetin e dy shteteve për dialog dhe zgjidhje ligjore.
Vizita e Spiropalit vjen me synimin për t’i dhënë dinamikë të re procesit, ndërsa Greqia e sheh këtë marrëveshje si thelbësore për garantimin e të drejtave të saj detare në Jon dhe për hapjen e investimeve të sigurta në kërkime energjetike -theksojnë artikujt.
Dihet që ZEE nuk lidhet vetëm me kufijtë detarë, por edhe me projektet energjetike që lidhen me dy vendet: gazsjellësit, linja të interkonjeksionit elektrik dhe infrastrukturës së re energjetike, që mund të sjellin përfitime ekonomike të prekshme dhe të rrisin sigurinë energjetike në të gjithë rajonin.
Në qendër të takimit do të jetë edhe integrimi evropian i Shqipërisë, një proces ku Tirana ka shënuar ritëm të shpejtë- shprehen burime diplomatike greke. Bashkimi Evropian ka hapur tashmë të gjitha kapitujt e negociatave, duke bërë që Shqipëria të arrijë objektivin për “hapje të plotë” brenda vitit 2025. Sipas të njëjtave burime, Shqipëria synon që negociatat të përfundojnë deri në vitin 2027, një kohë kur Greqia do të mbajë presidencën e BE-së dhe pritet të luajë rol aktiv në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në Bruksel, në një darkë të fundit joformale të ministrave të Jashtëm, Gerapetritis ka theksuar se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është prioritet i Athinës, veçanërisht në një moment kur rajoni përballet me tensione, nacionalizma të rritura dhe sfida të sigurisë. Ai ka kujtuar se procesi i integrimit filloi 22 vite më parë me Agjendën e Selanikut, një iniciativë greke, dhe ka nënvizuar se çdo hap duhet të bëhet me respekt të plotë për të drejtën ndërkombëtare, të drejtat demokratike dhe parimet e fqinjësisë së mirë.
Sot, Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit, ndërsa Greqia deklaron qartë se mbështetja e saj është e pakushtëzuar — por gjithmonë brenda kornizës së rregullores evropiane.
Vizita e 16 dhjetorit shihet si një moment kyç për vendosjen e një kuadri të ri bashkëpunimi që mund të sjellë stabilitet, investime dhe përfitime të prekshme për të dy popujt. Diplomatët grekë theksojnë se kjo nuk është vetëm një marrëveshje dypalëshe, por një nevojë strategjike për gjithë rajonin, i cili ka nevojë për më shumë siguri, më pak tensione dhe një perspektivë të qartë drejt Evropës.
Top Channel