Rusia reagon pas propozimit europian për paqe, këshilltari i Putin: Plotësisht jokonstruktiv, nuk funksionon për ne

24/11/2025 17:26

Kremlini tha sot se kundërpropozimi i europianëve ndaj planit të paqes prej 28 pikash të SHBA-së për Ukrainën nuk është konstruktiv dhe thjesht nuk funksionon për Moskën.

Publikimi javën e kaluar i planit të paqes prej 28 pikash të SHBA-së ka rritur shqetësimet në Ukrainë dhe midis fuqive europiane se kërkesat kryesore të Rusisë ndaj NATO-s, territorit dhe orarit për çdo marrëveshje paqeje janë pranuar nga Uashingtoni.

Plani evropian ndryshon ndjeshëm kuptimin dhe rëndësinë e pikave kryesore mbi NATO-n dhe territoret, sipas një kopjeje të parë nga Reuters.

“Plani evropian, në shikim të parë… është plotësisht jokonstruktiv dhe nuk funksionon për ne”, u tha gazetarëve në Moskë këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov.

Presidenti Vladimir Putin tha të premten se propozimet e SHBA-së për paqe në Ukrainë mund të formojnë bazën për zgjidhjen e konfliktit, por nëse Kievi e refuzon planin, atëherë forcat ruse do të lëvizin më tej.

Ushakov tha se “jo të gjitha, por shumë pozicione të planit amerikan na duken mjaft të pranueshme”. Ai shtoi se disa, megjithatë, duhet të diskutohen më në detaje.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta