Bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas, Kremlini: Nuk kemi marrë asnjë plan paqe të përditësuar nga Uashingtoni
Bisedimet mes SHBA-së dhe Ukrainës, që nisën dje në Gjenevë, janë përqendruar në pesë çështje kyçe, të cilat Kievi i konsideron të panegociueshme.
Qëndrimi i Ukrainës mbështetet plotësisht nga Britania, Franca, Gjermania, Polonia, Finlanda, Italia dhe Komisioni Europian.
Delegacioni ukrainas, i drejtuar nga Andriy Yermak, ka bërë të qartë se nuk pranon asnjë formë të njohjes juridike të territoreve të pushtuara nga Rusia. Zelensky ka theksuar se negociatat mund të nisin vetëm mbi “linjën aktuale të frontit”.
Në praktikë, askush në Kiev, në kryeqytetet europiane ose në Uashington nuk beson se Ukraina do t’i rimarrë katër rajonet pothuajse të pushtuara plotësisht-Donetsk, Lugansk, Kherson dhe Zaporizhzhia. Plani amerikan i përfshirë në draft parashikon që këto territore të konsiderohen “rusë de facto”, duke pranuar realitetin ushtarak aktual, por pa njohje ligjore “de jure”.
SHBA është shprehur gati të vendosë një mekanizëm të ngjashëm me nenin 5 të NATO-s, që do të nënkuptonte mbrojtje ushtarake automatike nëse Ukraina sulmohet sërish.
Por Ukraina dhe vendet europiane kërkojnë një garanci më të qartë, pa hapësira për interpretime politike nga presidenti amerikan, siç parashikon aktualisht “plani Trump”.
Franca dhe Britania po shtyjnë për ngritjen e një force të reagimit të shpejtë, gati të ndërhyjë në rast të një sulmi të ri rus. Kërkohet edhe monitorim i vazhdueshëm i lëvizjeve të ushtrisë ruse.
Nëse siguria garantohet fuqishëm, Kievi mund të heqë dorë nga aspirata për anëtarësim të menjëhershëm në NATO.
Putin kërkon çarmatosjen e Ukrainës. Drafti amerikan propozon uljen e forcave të armatosura nga 800 mijë në 600 mijë ushtarë. Zelensky është i gatshëm ta diskutojë këtë, nëse garancitë ndërkombëtare të sigurisë janë të forta. Në këtë rast, nuk do të ishte e nevojshme prania e trupave të huaja brenda Ukrainës, mjafton të jenë të gatshme të ndërhyjnë nga jashtë.
Ukraina kundërshton ndarjen gjysmë për gjysmë të energjisë së prodhuar nga centrali i Zaporizhzhias, siç kërkon pala ruse. Ky diskutim nuk është hapur ende në detaje, por do të trajtohet sapo të zgjidhen nyjet kryesore të paketës fillestare.
Top Channel