Investimet e huaja në filtrin e SHBA/ Ambasada amerikane: Mekanizëm i ri për të garantuar sigurinë kombëtare dhe shmangur faktorët keqdashës

24/11/2025 15:00

Partneritetet publike private do të kalojnë në filtrin amerikan.

Investimet e huaja në Shqipëri pritet të shqyrtohen përmes një mekanizmi të ri me qëllimin që të garantohen marrëveshje të drejta ekonomike për t’u mbrojtur nga keqdashësit, e cila do të ndihmojë qeverinë në rritjen e përgjegjshmërisë. Ky mekanizëm synon të ofrojë një klimë më të hapur dhe transparente për investitorët e huaj në territorin shqiptar, veçanërisht për kompanitë amerikane. Në reagimin për gazetaren e Top Channel, Kristi Gongo, Ambasada Amerikane sqaron se mekanizmi për shqyrtimin e investimeve është një praktikë juridike që duket se pastron kërkesat e dëmshme për investime, duke dashur të mbrojë sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

“Një mekanizëm për shqyrtimin e investimeve është një mjet ligjor që u lejon qeverive të shqyrtojnë investimet e huaja për t’u siguruar që ato nuk paraqesin rreziqe për sigurinë kombëtare. Një mekanizëm i tillë do të mbronte sektorët kritikë të Shqipërisë nga aktorë keqdashës dhe do të mbështeste një mjedis investimesh të hapur dhe transparent që është i drejtë dhe i parashikueshëm për kompanitë amerikane dhe të tjerë, duke forcuar rolin e Shqipërisë si një partner i besuar në ekonominë globale.”

Pas takimit të të Ngarkuarës me Punë, Nancy Vanhorn, me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimajt, ku u zbulua plani i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për të ofruar ekspertizë amerikane mbi koncensionet dhe nevoja për miratimin e një mekanizmi për shqyrtimin e investimeve, Top Channel ju drejtua me pyetjen se si do të funksionojë ky instrument dhe kë shënjestron. Një zyrtar i Ambasadës ju përgjigj interesit mediatik duke shpjeguar se Shtetet e Bashkuara kërkojnë të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në Shqipëri duke mbështetur partneritete të drejta për bizneset amerikane, e jo vetëm.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur prosperitetin ekonomik dhe partneritete të drejta për amerikanët, përfshirë bizneset amerikane në Shqipëri, si dhe për të forcuar sigurinë e teknologjive kritike”.

Zyrtari amerikan nxjerr në pah se Shtetet e Bashkuara ndajnë me Shqipërinë rregullisht ekspertizë amerikane përmes programeve dhe shkëmbimeve në marrëdhëniet e përbashkëta mbi çështje me interes të ndërsjellë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta