“Po lëviz i armatosur”, si u pikas nga policia 23-vjeçari/ Në “BMW” iu gjet armë, në shtëpi lëndë narkotike

23/11/2025 14:14
Foto ilustruese

Një 23-vjeçar është vënë në pranga, pasi në makinë iu gjet armë, ndërsa në banesë lëndë narkotike.

Sipas njoftimit të policisë, i riu me iniciale Xh. C., blutë ushtruan kontroll ndaj mjetit “BMW” në aksin rrugor “Lezhë–Shkodër”.

Më pas iu gjet arma, ndërsa gjatë kontrollit në banesë iu gjet lëndë narkotike.

“Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve me qëllim kapjen dhe arrestimin e personave që qarkullojnë të armatosur apo mbajnë në banesë armë zjarri pa leje, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara për një të ri që qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Aksi”.

Si rezultat i operacionit, në aksin rrugor “Lezhë–Shkodër”, në fshatin Mabë, shërbimet e Policisë konstatuan një automjet tip BMW që dyshohej se udhëtonte i riu i armatosur dhe e ndaluan për të ushtruar kontroll.

Gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit dhe të çantës që mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, me krehër dhe municion luftarak.

Në vijim të veprimeve procedurale, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, u ushtrua kontroll edhe në banesën e tij në lagjen “Salo Halili”, në Shkodër, ku gjatë kontrollit shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lënde narkotike, e dyshuar kanabis.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. C., 23 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta