Aksident në aksin rrugor Maqellar-Peshkopi, dy automjete përplasen “kokë më kokë”/ Pesë persona përfundojnë në spital

23/11/2025 11:11

Një aksident rrugor është shënuar paraditen e sotme në aksin rrugor Maqellar-Peshkopi në afërsi të fshatit Treçe, ku dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur disa persona.

Fillimisht aksidenti është pikasur nga drejtuesit e tjerë, të cilët kanë njoftuar policinë dhe ambulancën të cilët kanë shkuar në vendngjarje ku kanë bërë të mundur dërgimin e personave të plagosur drejt spitalit rajonal të Peshkopisë ku kanë marrë ndihmën e parë.

Sipas mjekëve të këtij spitali dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia dhe grupi hetimor ka nisur hetimet rreth shkaqeve të aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 09:30, në fshatin Trepçë, janë përplasur dy automjete të tipit “Benz”, me drejtues shtetasit D.D., 22 vjeç, dhe J.B., 48 vjeç.

Si pasojë e përplasjes së automjeteve, kanë mbetur të lënduar dy drejtuesit dhe tre pasagjerë, shtetasit K.M., J.B. dhe G.B., të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta