Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të premten kundër një burri të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin kundër pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, më 2023.

Në një njoftim për media, Prokuroria e identifikoi të dyshuarin vetëm si L.M., dhe tha se ai akuzohet për veprat penale, sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.

“I pandehuri L.M. akuzohet se më 29 maj 2023, në Zveçan, në bashkëkryerje me të pandehur të tjerë, përmes përdorimit të dhunës, kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Në aktakuzë thuhet se nga dhuna e ushtruar ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në automjetet e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.

Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë.

Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.

Autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra të dyshuar për dhunën në Zveçan vitin e fundit.

Deri tani, disa persona janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë në lidhje me dhunën në Zveçan.

Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës./ REL

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta