Përmbytjet në Pogradec, dy banesa shemben pjesërisht/ Familjarët kërkojnë strehim urgjent Prej tre ditësh, zona e Malësisë së Kurbinit ka qenë e izoluar si pasojë e shkatërrimit të disa urave, rrëshqitjeve të dherave dhe dëmtimit të rrugës kryesore.
Malësia e Kurbinit konsiderohet ndër zonat më të prekura nga reshjet e dendura, të cilat sollën vërshimin e ujërave të lumit Hurdhacë që përshkon disa prej fshatrave. Për pasojë, disa ura u shembën dhe segmentet rrugore u degraduan, duke lënë të bllokuar të gjithë fshatrat e kësaj zone malore.
Autoritetet lokale, në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, kanë arritur gjatë ditës së sotme të rikuperojnë një pjesë të urave të dëmtuara dhe të sistemojnë disa segmente të rrugës. Sipas kreut të Njësisë Administrative Milot, Dritan Preçi, në fshatin e largët Vinjollë vijon puna për hapjen e rrugës, ndërsa dy fshatra të tjerë kanë dalë tashmë nga izolimi.
Ndërkohë, në fshatin Gallatë, disa familje u evakuuan pas përmbytjes së banesave të tyre. Me përmirësimin e situatës, pritet që ato të rikthehen së shpejti në shtëpi. Në zonë u shfaqën probleme edhe për shkak të dëmtimit të linjës elektrike, por energjia është rikthyer tashmë.
Paralelisht, në fshatin Shperdhet të Kurbinit po punohet për hapjen e rrugës së bllokuar nga dalja e lumit Drojë nga shtrati, që izoloi të gjithë fshatin.
Sipas Bashkisë së Kurbinit, dy zonat më të prekura nga reshjet e tre ditëve të fundit mbeten Malësia e Kurbinit dhe Njësia Administrative e Mamurrasit, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Drojë. Autoritetet thonë se ndërhyrjet do të vazhdojnë deri në rikthimin e plotë të qarkullimit dhe normalizimin e situatës.
Top Channel